E shanin Grenellin, tani disponimi anti Escobar, anëtari i Kabinetit të Kurtit s’heq dorë nga lajmi për “zëvendësimin” e tij

by informim

Megjithëse jo si Richard Grenell, edhe Gabriel Escobar nuk ka qenë emisari ideal për Lëvizjen Vetëvendosje, që, ndër të tjera, merret shumë me zyrtarë amerikanë. Në kuadër të këtij angazhimi, Avni Zogiani ka shpërndarë dje një lajm se Presidenti Biden po e zëvendëson Escobarin. Por, kjo nuk është e vërtetë.

Tashmë është e ditur se as emisari Gabriel Escobar nuk i ka rënë tamam Lëvizjes Vetëvendosje, që në mandatin e parë në pushtet doli nga një luftë e hapur me paraardhësin e Escbobarit, Richard Grenell. Siç ndodh rëndom, pas një periudhe ku fshihen mospajtimet diplomatike, Kurti në fillim të këtij viti ka treguar hatërmbetjet me diplomatin amerikan, që merret me dialogun Kosovë – Serbi.

Pas hatërmbetjeve të shprehura nga prijësi, kanë vërshuar kritikat nga zyrtarë jo shumë të lartë të LV-së, karshi Escobarit.

Avni Zogiani, një zyrtar i LV-së që ka lëvizur në pozita të ndryshme e së fundmi Kurti e ka bërë zëvendësministër, ka shpërndarë mbrëmë një lajm të pasaktë që lidhet me emisarin amerikan.

Pa treguar burimin, Zogiani ka shpërndarë një titull lajmi, ku thuhet se Biden emëron zëvendësuesin e Escobarin.

Por, lajmi që e ka shpërndarë Zogiani është i pasaktë sepse Presidenti Biden e ka nominuar një zyrtar tjetër për pozitën e Ndihmësit të Sekretarit të Shtetit, e jo për Zëvendës-Ndihmës Sekretar të Shtetit, pozitë kjo që e mban Escobar.

Avni Zogiani/FB

James O’Brien, nëse nominimi konfirmohet në Senat, do ta marrë pozitën që ka mbetur e zbrazët, pas largimit të Karen Donfried në mars.

Raportet e Vetëvendosjes me Escobarin, që s’po largohet

Pas largimit të emisarit special amerikan, Richard Grenellit, që u përfshi personalisht në një luftë kundër Qeverisë Kurti dhe vetë Kryeministrit Kurti, LV-ja mbante shpresë që me Administratën Biden do të kishte një diplomat që do t’i shkonte për shtati.

Detyrën e ish-diplomatit kontrovers, që vazhdon konfliktet  me Lëvizjen Vetëvendosje, në fund të 2021-s, e mori Gabriel Escobar, që mban pozitën e Zëvendës-ndihmës Sekretarit, por specifikisht është i angazhuar për Ballkanin Perëndimor.

Profili i Escobarit dallon nga ai i Grenellit, që ishte i emëruar direkt i Presidentit Trump. Deri tani, ai ka ruajtur gjuhën diplomatike, edhe kur kërkesat e tij nuk takoheshin me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës.

Por, megjithatë edhe raporti me Escobarin ka pasur episodë, ku palët deklaronin publikisht mospajtimet. Ato ishin shfaqur gjatë kohës kur Kryeministri Kurti kishte vendosur ta zbatonte vendimin për heqjen nga përdorimi i targave ilegale që i lëshonte Serbia për banorët serbë të Kosovës dhe kishin vazhduar për çështjen e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Gjashtë muaj më parë, Kurti refuzonte kategorikisht themelimin e Asociacionit. Zyrtarët e LV-së ishin të bindur se ai nuk bëhet kurrë, sepse kështu thoshte Kryeministri. Escobar gjatë një vizite në Prishtinë në dhjetor, tha fjalëpërfjalshëm se një politikan i vetëm dhe një parti e vetme s’mund të largohen nga detyrimi për ta bërë Asociacionin.

“Është obligim për Serbinë, është obligim për Kosovën, është obligim për BE-në që ka ndihmuar në negocimin e tij [Asociacionit]. Dhe, pasi që ne e mbështesim dialogun, është edhe angazhim yni. Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim”, kishte deklaruar Escobar.

Po në atë vizitë, Escobar kishte se Asociacionin mund ta bëjnë edhe me “partnerë alternativë”, e kjo fjali ishte interpretuar edhe si një lloj kërcënimi për Kurtin, i cili herën e parë, konsiderohej se u rrëzua pas mosbindjes ndaj kërkesave të SHBA-së, që atëkohë jepeshin përmes Grenellit. 

Gjatë janarit, Ambasada amerikane, me aprovimin e Escobarit, nisi diskutimet në selinë e saj për themelimin e Asociacionit, ku ftonte akterë që në një mënyrë a një tjetër vlerësonte se prekeshin nga Asociacioni, por jo edhe Kryeministrin Albin Kurti.

Kurti u deklarua për këtë dhe për mesazhet publike që i kishte dërguar Escobari.

“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, kishte thënë Kurti në janar, para takimit për Asociacion në Ambasadë

Tani, gjashtë muaj më vonë, ka pasur shumë zhvillime në dialogun Kosovë – Serbi. Kryeministri Kurti e ka pranuar marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve me Serbinë, në fund të shkurtit. Ndërkaq është dakorduar edhe për Planin e Zbatimit të asaj marrëveshjeje. Aty përfshihet edhe zotimi për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në takimin e parë pas arritjes së marrëveshjes, siç kishin insistuar ndërkombëtarët dhe Serbia, është prezantuar drafti i Statutit të Asociacionit.

Kurti është lavdëruar nga zyrtarët më të lartë amerikanë për këto zhvillime dhe është përkrahur edhe nga Escobari.  Emisari amerikan e ka parë si progres faktin që tani Kurti dhe Qeveria e tij flasin për formimin e Asociacionit, ndonëse kjo ishte çështje që refuzohej kategorikisht nga ai në fillim të mandatit të tij si Kryeministër dhe gati një dekadë në opozitë.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy