Ndeshjet kualifikuese të Euro 2024 do të rikthehen në muajin qershor, ndërsa Kosova do të ketë punë me Rumaninë dhe me Bjellorusinë.
Janë pikërisht rumunët që do të zbarkojnë në stadiumin “Fadil Vokrri” më 16 qershor.
Pas dy barazimeve, me Izraelin dhe me Andorrën, “Dardanët” do ta kërkojnë fitoren e parë në Grupin I pikërisht ndaj Rumanisë, e cila e ndan pozitën e parë me Zvicrën me nga 6 pikë.
Por, objektivin e njëjtë në këtë ndeshje me Verdhekaltrit e kanë edhe rumunët.
Ata do të zbarkojnë në Prishtinë për t’i marrë tri pikë, të cilat do t’i afronin me kualifikim pasi është Kosova pikërisht kundërshtari direkt i tyre për vend të dytë.
Krahas Kosovë, Rumania në qershor do të ballafaqohet edhe me favoriten e grupit, Zvicra në udhëtim.
Sidoqoftë, futbollisti rumun, Ianis Hagi, i cili është në formë të mirë dhe që po e pret ftesën e parë në Kombëtare, është optimist se shokët e tij do t’i fitojnë ndeshjet e ardhshme dhe që do t’i afrohen kualifikimit në Euro 2024.
“I kemi dy ndeshje, me Kosovën dhe me Zvicrën, mendoj se krejt vendi ynë duhet të koncentrohet në dy ndeshjet e radhës. Jemi në një pozitë të favorshme, i kemi marrë gjashtë pikë nga gjashtë të mundshme. Për momentin jemi në krye, duhet t’i fitojmë ndeshjet dhe kjo mjafton”, deklaroi fillimisht mesfushori rumun në emisionin “Disi Sport Special show”.
“Planet e mia janë që të përfshihem në skuadrën kombëtare pasi s’kam më probleme me lëndime. Gjëja më e rëndësishme është që t’i marrim gjashtë pikë në qershor”, tha tutje futbollisti i Glasgow Rangers.
24 vjeçari Ianis Hagi është i biri i legjendës rumune të futbollit, Gheorghe Hagi.