Në mbledhjen e së hënës të Kryesisë së Kuvendit nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për caktimin e seancës së re plenare në Kuvendin e Kosovës që parashihej të mbahej këtë të enjte.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka fajësuar Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti për mosreflektim sa i përket bllokimit të Kuvendit.
“Bllokimi i Kuvendit do të reflektonte shumë në punën e Qeverisë. Fakti që kryeministrit nuk i bën përshtypje fare që agjenda parlamentare është e bllokuar, ju mund ta imagjinoni se në çfarë situate e kemi qeverisjen në vend. Atyre nuk iu ec asnjë projekt as në çështjet e arsimit, as në sundimin e ligjit, as në shëndetësi ekonomia në buzë të kolapsit, me një inflacion jashtëzakonisht të madh, me paga që nuk ia arrijnë të dalin për një muaj për qytetarin e Kosovës”, ka thënë ai pas mbledhjes së Kryesisë.
Tahiri ka shtuar se të enjten do të thirrej një seancë e re ku do të vendosej edhe për Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme.
“Kemi një bllokadë jashtëzakonisht të madhe që për Qeverinë nuk po iu bëhet vonë fare. Me një kryeministër që do të ishte efektiv, bllokimi i punës së Kuvendit do të shkaktonte probleme të mëdha, këtij nuk po i shkakton probleme sepse nuk është duke qeverisur. Krejt çka po shohim prej tyre është participimi në festa të ndryshme, por jo në trajtimin e problemeve të qytetarëve të Kosovës. Të enjten normalisht do të duhej të thirrej një seancë e re, ku do të vendosej edhe për Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme. Ditën e mërkurë ne si Grup Parlamentar do ta kemi një debat në lidhje me punën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, aty i kemi renditur një sërë dështimesh të kësaj super ministrie”, ka thënë ai.
Tahiri ka folur edhe për betimin e kryetarëve të rinj të katër komunave veriore, për çka tha se gjithçka duhet të shkojë sipas rendit kushtetues
“Nuk mendojmë që duhet të improvizohet në betimin e këtyre kryetarëve të komunave. Betimi duhet të jetë ashtu siç e parasheh Kushtetuta dhe ligjet në fuqi, andaj e rëndësishme është të krijohen kushtet që bandat kriminale të mos tentojnë ta cenojnë rendin tonë juridik kushtetues”, ka thënë ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se partia që përfaqëson ka planifikuar që në seancën që pritej të mbahej këtë javë të thërret interperlancë për ministrin e Financave, Hekuran Murati lidhur me dy tema.
E para sipas tij, ka të bëjë me zhbllokimin e buxhetit për komunat dhe e dyta me sektorin publik.
“Nuk pati kuorum të mjaftueshëm në Kryesi dhe si rrjedhojë nuk mund të kemi një seancë të re të enjten e kësaj jave. Zhbllokimi i Kuvendit mund të ndodhë vetëm në qoftë se qasja populiste e Qeverisë, përkatësisht e Ministrisë së Financave në raport me të hyrat vetanake të komunave duhet të ndodhë këtë javë për shkak se lëre që nuk po mund ta shfrytëzojë buxhetin që e ka bllokuar në konton e Qeverisë, po dëshiron ende buxhet prej komunave që e kanë të vetmen mundësi për t’i zbatuar projektet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarit. Kemi pasur një interpelancë për ministrin Murati që lidhet me dy tema, me zhbllokimin e buxhetit dhe fillimin e investimeve kapitale pasi shkoi ky vit, kanë mbetur maksimum edhe katër muaj për shfrytëzim të buxhetit. Dhe e dyta ka të bëjë me sektorin publik. 80 mijë njerëz që janë të punësuar sot në sektorin publik shkojnë me zor në punë, asnjë nuk shkon me qejf. Zyrtarët publikë janë bërë rast social me ligjin që i mashtroi punëtorët në administratën e shtetit, i la me paga më të ulëta se që kanë qenë më herët dhe i sjelli në një situatë që secili të gjejë zgjidhje. Bllokada që po ndodhë me paranë publike, bllokada në Parlamentin e Kosovës, mosinvestimi dhe mostrajtimi i asnjë teme që lidhet me mirëqenien, i ka zhgënjyer njerëzit”, është shprehur ai.