Publicistja e njohur shkodrane Edona Llukaçaj shkruan në një analizë në DITA mbi efektet që kanë emisionet televizive reality mbi sjelljet e shoqërisë, veçanërisht te rinia.
Pedagogia Llukaçaj merr shembull vrasjet masive në Serbi, të cilat janë pasuar nga protesta, në të cilat kërkohet mbyllja e emisioneve të tilla, pasi ato fajësohen për modelin e dhunës dhe parazitizmit që përhapin në shoqëri. “Ky është një problem që shqiptarët nuk i prek drejtpërdrejt, fakti se një popull ballkanik si ne, po përballet me pasojat e mitizimit të heronjve të stisur dhe shikueshmërisë së lartë të formateve që s’merret vesh se realitetin e kujt transmetojnë mund të na vlejë si mësim.
Mund të kuptojmë se etika e munguar që ata shfaqin është sëmundje ngjitëse, që po përhapet në masë dhe shpejt mund të kapë të tjera përmasa.

Mund të fillojë të na bëjë përshtypje kur banaliteti dhe llafazanëria promovohen si arritje, strategji bashkëkohore për të kamufluar injorancën. Mund ta mësojmë se jo çdo i sëmurë për famë e meriton vëmendjen tonë…”
Llukacaj paralelizon rastin me dy ngjarje të rënda të kohëve të fundit në Shqipëri, vrasjet me thika mes adoleshentëve, që kanë bërë dy viktima të mitura në pak kohë.
Duke marrë shembull popullaritetin e pazakontë të personazhit me emrin Luiz në emisionin e këtij formati, Big Brother. “… që të mos çuditemi si adoleshentët “sqarojnë” konfiktet e veta me thika e doreza hekuri vrastare. Të paktën mund të mos i bëjmë meze politike ca “bradhëra kitsch” sepse tatëpjetën që mund t’I japë shoqërisë popullarizimi i imponuar I tyre, tashmë, kemi filluar ta dëshmojmë. Nëse jo, “çapaçul” shpejt do kthehet në titull honorifik dhe mjerë ata që dot nuk e meritojnë…”