I mbijetuar i masakrës së Burgut të Dubravës, Besim Zymberi, ka thënë se objekti i këtij burgu u rindërtua menjëherë pas luftës për të fshehur çdo gjurmë se aty ka pasur gjenocid, pasi sipas tij, në atë kohë, Kosova ishte e paorganizuar, ndërsa Serbia ishte fuqi hebraike.
Zymberi ka thënë se qëllimi ka qenë që të fshihen sa më shumë pamjet vizuele se aty ka pasur gjenocid.
“Objekti i parë i rindërtuar pas luftës ka qenë ai i Burgut të Dubravës. Qëllimi ka qenë të fshihen sa më shumë në mënyrë vizuele pamjet se ka pasur gjenocid. Sepse ata kishin fuqi hebraike, ne ishim të paorganizuar pas luftës. Ne e dimë se më lirë ka qenë që të ndërtohet një objekt i ri sesa të rindërtohet ky që është sot. Por ka qenë qëllimi të fshihen gjurmët”, ka thënë Zymberi në “Konfront” të KTV-së.
Zymberi ka thënë se pavarësisht që kanë ndryshuar rrethanat, ata nuk do ta harrojnë kurrë atë që përjetuan në Burgun e Dubravës nga forcat serbe pas intervenimit të NATO-s.
“Përjetimet si ato nuk mund të veniten asnjë. Çdo moment kemi luftuar për jetën a vdekjen. Në rrethana të tjera duhet të përshtatemi, por nuk do ta harrojmë kurrë. Dy gjërat i kam provuar aty, si thënie të popullit, njeriu është më i fortë se guri dhe shpresa vdes e fundit. U përpoqëm me gjitha forcat tona dhe ia dolëm ta ruajmë qetësinë”, ka rrëfyer Zymberi, i cili u transferua në Burgun e Dubravës nga Gjilani më 30 prill të ’99-s.
Ai tregon se të burgosurit serbë që ishin aty u bënë bashkë me gardianët dhe ushtruan dhunë ndaj të burgosurve shqiptarë.
“Janë disa fotografi, disa xhirime ku të burgosurit serbë shihet se u janë bashkuar gardianëve për të ushtruar dhunë ndaj nesh”, ka thënë ai.,
Sipas Zymberit, “masakra ka qenë pasqyra e reflektimit të shoqërisë serbe për ekzekutim të gjenocidit deri në shkallën e zhdukjes biologjike dhe mentale të qytetërimit shqiptar në pjesët që kanë qenë të pushtuara nga Jugosllavia”.
“Tortura në vitet 1998-99 ka qenë vdekjeprurëse, brutale, ka qenë pa asnjë lloj kontrolli”.