Anëtarët e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës u mblodhën sot për të diskutuar shpalljen e zgjedhjeve të brendshme.
Procesi nis më 1 qershor, derisa pritet të kryhet në vjeshtë me zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë më të vjetër në vend, raporton Klan Kosova.
Ky i tanishmi, që u zgjodh në vitin 2019, tha se këto zgjedhje do të kenë risi.
“Do të kemi themelimin e nëndegëve të reja gjithandej Prishtinës, një organizim territorial të degëve tona në mërgatë, afirmim të gruas, si dhe për herë të parë zgjedhjet do të bëhen sipas regjistrimit të anëtarësisë. Kemi marrë po ashtu vendim që të bëjmë katër degë të reja në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut”, tha Abdixhiku.
I pari i kësaj partie nuk deshi ta komentojë dorëheqjen e Faton Bislimit që u bë pikërisht në ditën kur u shpallën zgjedhjet e brendshme.
“Nuk ka mospajtime brenda partisë. Partia ka qenë më e bashkuar se kurrë. Fakt është që kryesia s’e ka parë z. Bislimin tash e një vit e gjysmë, andaj nuk di as si ta komentoj”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se pret të ketë garë në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe pozitën e kryetarit.