Qendra Evropiane për Lirinë e Medias tha se është e shqetësuar me vendimin e Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur Luljeta Aliu-Krasniqin anëtare të Komisionit të Pavarur për Media (KPM).
Në një reagim të bërë të mërkurën në Facebook, Qendra tha se Aliu-Krasniqi, që e ka përkrahur publikisht partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, nuk mund të konsiderohet “në asnjë mënyrë e pavarur”.
“Na vjen keq që të shohim këtë zhvillim pasi bie ndesh me procesin e depolitizimit të KPM-së që e kishte filluar VV-ja. Këto emërime janë një hap i madh drejt rimarrjes politike, në të njëjtën mënyrë që u bë në të kaluarën”, u tha në reagimin e ECPMF-së
Qendra bëri të ditur se do të informojë menjëherë Këshillin dhe Asamblenë Parlamentare të Evropës për këtë zhvillim shqetësues.
Luljeta Aliu-Krasniqi është zgjedhur anëtare e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave, pasi ka marrë shumicën e votave nga deputetët në procesin e votimit përballë Violeta Hyseni-Kelmendit në garën për anëtaren grua të Bordit.
Procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të KPM-së ishte përcjellë me parregullsi e mostransparencë. Kandidatët ishin intervistuar pa praninë e kamerave. Njëjtë ishte bërë edhe në kohën e poentimit të tyre