Fituesi i Kupës së Italisë për edicionin 2022-2023 do të fitojë rreth 4.5 milionë euro, ndërsa çmimi për nën-kampionët është dy milionë euro.
Fiorentina dhe Interi takohen në finalen e Kupës së Italisë në Stadio Olimpico sot (e mërkurë) mbrëma me fillim nga ora 21:00.
Calcio&Finanza ka zbuluar se fituesi i ndeshjes së sotme do të fitojë rreth 4.5 milionë euro, ndërsa humbësi do të marrë dy milionë euro.
Interi dhe Fiorentina kanë fituar tashmë rreth tre milionë euro për arritjen në finale, kështu që, në përgjithësi, skuadra që ngre kupën do të marrë shtatë milionë euro, rreth dy milionë euro më shumë se nën-kampionët.
Viola dhe Nerazzurrët do të marrin gjithashtu nga 45 për qind nga të ardhurat e biletave për ndeshjen e sotme në Olimpico, ndërsa Lega Serie A do të mbajë 10 për qindshin e mbetur.
Të ardhurat nga biletat për finalen e sezonit të kaluar ndërmjet Interit dhe Juventusit, gjithashtu në Stadio Olimpico, ishin 5.15 milionë euro, me pothuajse 68 mijë tifozë në stadium.
Me arritjen në finale, Interi dhe Fiorentina kanë fituar gjithashtu qasje në Superkupën e 2023/24, e cila do të përfshijë katër klube për herë të parë.
Fituesi i Serie A, Napoli është kualifikuar, ndërsa vendi i katërt dhe i fundit i takon nën-kampionëve të ligës që momentalisht janë Lazio.