Amerikanëve iu “soset” durimi, ia bëjnë Kurtit “detyrë urgjente” Asociacionin, po e presin draft-stautin

by informim

Kosovës po i kërkohet që ta nisë shpejt thelemimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ndërkombëtarët dhe specifikisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përshkruajnë këtë si “detyrë urgjente” për Kosovën dhe “hap jetik” për zbatimin e marrëveshjes së fundit me Serbinë. Nga kryeministri Albin Kurti tani pritet hartimi i një draft-statuti për Asociacionin. Pritjet janë që zbatimi i marrëveshjes të përfundojë deri në fund të verës.

Kryeministri Albin Kurti kërkon vazhdimisht zbatim të plotë të marrëveshjes “me njohje de facto”, të cilën e arriti së fundmi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

banner

Por zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duket se SHBA-ja po i kërkon tash që ta nisë me pikën më të vështirë për Kosovën – themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pati thënë pas takimit të fundit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit se implementi i marrëveshjes duhet të nisë me Asociacionin.

“BE-ja dhe SHBA-ja janë të fokusuara që kjo marrëveshje [e arritur në Ohër] të bëhet realitet. Implementimi nis me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka thënë Escobar gjatë një konference për media më 3 maj, të mbajtur online.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier mbrëmë e ka përmendur themelimin e Asociacionit kur ka folur për çështjet me prioritet për të cilat po angazhohen. Ai në një intervistë për Televizionin 21 tha se Asociacioni është “një hap jetik përpara” në procesin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova është zotuar në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne kemi qenë shumë të qartë publikisht për një kohë të gjatë dhe presim të bëhet dhe tani është më urgjente dhe në kohë sepse është një element fondamental i përgjegjësisë së Kosovës dhe përkushtimit të Kosovës edhe me Marrëveshjen e Brukselit por edhe kur bëhet fjalë për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Ne duam ta shohim atë të ketë ecur përpara edhe atë urgjentisht, dhe mendojmë se është koha tani”, tha Hovenier

Kështu, ambasadori amerikan thotë se nuk po krijojnë probleme për Kosovën, duke besuar se kështu në fakt do të zgjidheshin problemet. “A do Kosova që ta marrë vendin e saj në strukturat europiane dhe euroatlantike”, ka pyetur Hovenier. “Nëse po, atëherë kjo është rruga. Nëse jo, edhe kjo është zgjedhje. Nuk është diçka që ne e imponojmë apo e dënojmë. Është vetëm realitet që vjen nëse dështon në zbatim…”.

Në pritje të draft-statutit të Kurtit

I dërguari i posaçëm amerikan, Gabriel Escobar, kishte pritur që deri në takimin e fundit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq të kishte një propozim nga Qeveria e Kosovës për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Shpresoj që deri më 2 maj të ketë një propozim konkret”, ishte shprehur ai më 20 prill, në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.

Tani, nuk ka më thjesht pritje që Kosova të lëvizë për ta bërë Asociacionin.

“Edhe nga Kosova pritet ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më falni, kjo nuk është pritje. Është obligim”, ka thënë Escobar më 21 maj, në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve, Mina. Ai tha se duan që puna e zbatimit të marrëveshjes së fundit të kryhet deri në fund të verës.

Kurti në takimin e fundit me Vuçiqin në Bruksel e hodhi poshtë një draft të statutit të Asociacionit, i cili u prezantua nga një ekip menaxhues i përbërë nga katër serbë. Kishte thënë se “është rezultat i dëshirës për Republika Srpska në Kosovë” dhe e shkarkoi këtë ekip me t’u kthyer në Prishtinë

Në atë takim, Kurti e ka propozuar një “draft-vizion” për punën e rregullimit të komunitetit serb në Kosovë, për të cilin tha se u inspirua në modelin kroat.

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, tha para dy javësh se ka ardhur koha që Kosova ta propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke treguar se “aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

“Pra, tani është koha që Kosova ta propozojë zyrtarisht një draft statut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga Kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, ka shkruar Abbott në Facebook më 9 maj.

Të njëjtën gjë e kërkoi një javë më parë edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, pas një takimi me anëtarët e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme. Tha se vizioni i paraqitur i Kurtit nuk mjafton.

“Drafti më i mirë mund të përgatitet nga vetë Kosova për Kosovën. Një vizion nuk është draft. Çka na duhet nga Kosova sa më parë është një draft, që të shohim se çfarë idesh konkrete ka për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe. Ky, mendoj që është obligim i Kosovës për ta sjellë përpara këtë proces”, tha Rohde më 16 maj.

Vizita e dy senatorëve amerikanë në Prishtinë, Chris Murphy dhe Gary Peters të hënën, e solli paralajmërimin se kryeministri Albin Kurti tani duhet të ndërmarrë “hapa të vështirë” në dialogun me Serbinë. Ata kanë treguar se u kanë bërë presion krerëve të shtetit të Kosovës që të lëvizin “me shpejtësi” drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke treguar “një nivel të ri serioziteti” në këtë çështje.

Ndërkombëtarët e konsiderojnë “pikënisje të rëndësishme” draftin e statutit të Asociacionit i cili u prezantua më 2 maj në Bruksel.

Vizita e dy senatorëve amerikanë në Prishtinë, Chris Murphy dhe Gary Peters të hënën, e solli edhe njëherë paralajmërimin se kryeministri Albin Kurti tani duhet të ndërmarrë “hapa të vështirë” në dialogun me Serbinë. Ata kanë treguar se u kanë bërë presion krerëve të shtetit të Kosovës që të lëvizin “me shpejtësi” drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke treguar “një nivel të ri serioziteti” në këtë çështje.

Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar rrezik nëse ndërmjetësit do të kërkojnë diçka mes propozimit të Kosovës dhe atij të Serbisë për Asociacionin.

“Problemi është që nëse zyrtarët e BE-së kërkojnë që edhe vetë statuti të jetë një mes në mes të asaj çfarë kërkon Serbia dhe çka propozon Kosova, aty gjithmonë ka rrezik – në qoftë se merren elemente të propozimit të Serbisë, gjithmonë ka rrezik – që të shkohet drejt destabilizimit”, ka thënë më 20 maj shefja e shtetit.

Ndërkohë, kërkesa e diplomatëve që Kurti ta hartojë vetë një propozim për atë se si do të duket Asociacioni e ka shqetësuar Vuçiqin, i cili reagoi ashpër të martën, duke i thënë të dërguarit amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar që ta lexojë marrëveshjen e mëparshme. Ai tha se institucionet e Kosovës “nuk kanë asnjë të drejtë të bëjnë propozime”, duke paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në ndonjë takim me Kurtin, nëse ky i fundit do të shkonte me një draft-statut për Asociacionin

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy