Kryetari i ri i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, i cili është betuar të enjten, ka thënë se zyrat e komunës vazhdojnë të jenë nën menaxhimin e sistemit paralel, por beson se shumë shpejt do të ndryshojë.
Në një intervistë dhënë emisionit “60 Minuta” në KTV, Zeqiri ka konsideruar se këto zyre janë të uzurpuara dhe duhet t’u lirohen qytetarëve të komunës në shërbimin e tyre.
“Ashtu siç edhe kam deklaruar para gjithë opinionit, së shpejti pres që të hyjë edhe në zyrat e komunës. Nuk është e thënë se a isha sot apo do të jem nesër, së shpejti do të hyjmë atje. Do të jemi të matur në veprime, do të ecim me hapa të sigurt, mund të jenë më të ngadaltë, por me siguri se do t’ia arrijmë. (V.J. zyrat e komunës) janë nën menaxhimin e një sistemi paralel ka qenë dhe është, nuk besoj se do të mbetet asisoj, meqenëse këtu është një numër i madh i punëtorëve që punojnë në një sistem siç është ai i Serbisë. Ato zyre janë të uzurpuara, ato duhet të lirohen, t’u lirohen gjithë qytetarëve të komunës së Zubin-Potokut në shërbimin e tyre”, ka thënë ai.
Zeqiri ka thënë se aktualisht shërbimet e të gjithë qytetarëve serbë e shqiptarë, si regjistrimi civil, merren në zyrat e instaluara në Çabër.
Kryetari i ri i Zubin-Potokut ka konsideruar se Serbia po tenton që përmes presionit që i bën qytetarëve serbë në veri, t’i shtyjë organet e Qeverisë së Kosovës të përdorin mekanizma të dhunshëm në mënyrë që të përfitojë nga bisedimet që po zhvillohen në Bruksel.
“Këtu po insiston edhe Serbia, përmes këtij ngushtimi që po i bën qytetarëve serbë dhe këtyre organeve, më së shumti dëm i bën qytetarëve serbë lokalë në këto komuna dhe po insiston diçka të tillë përmes ndikimit në këtë pjesë të komunitetit serb, në një formë të përfitojë diçka edhe nga bisedimet që janë në Bruksel. Serbia po insiston që përmes kësaj forme t’i shtyjë organet e Qeverisë së Kosovës të përdorin një mekanizëm pak më të dhunshëm për shkak të ndonjë përfitimi në bisedime. Këtu po insiston Serbia, e cila tenton të përfitojë nga bisedimet që po zhvillohen në Bruksel pa marrë parasysh që po sakrifikon pakicën serbe këtu”, ka thënë ai.