Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Ai ka renditur “shkeljet” që kjo ministri ka bërë.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Shala ka theksuar se nëse Qeveria nuk reagon për situatën në këtë ministri, nënkupton se dikush i fuqishëm qëndron prapa keqpërdorimeve.
“Do t’i radhis disa nga shkeljet e kësaj ministre. Projekti i Bankës Botërore në vlerë prej 15 milionë euro i keqmenaxhuar juridikisht dhe operacionalisht. Skandali i radhës është skandali i Dubait për artefaktet. Emërimi dhe shkarkimi i 7 sekretarëve permanent. Angazhimi i ekspertëve me pagesë 1000 euro ditën. Nënshkrimi i jashtëligjshëm i kontratës për investitorin strategjik. Zhvlerësimi i rregullores për investime strategjike. Asnjë rezultat në këtë sektor. Keqmenaxhimi i rezervave shtetërore. Keqmenaxhimi i vajit ushqimor. Rreth 200 mijë litra vaj të kontraktuara nuk janë ardhur në Kosovë ende për rezervë shtetërore. Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria për mosdeklarim të pasurisë është shkelja e radhës. 500 mijë kopje të gazetës franceze. Rritja e importit si asnjëherë më parë nga Serbia. Nuk është vetëm çështje opozitare, është ekonomike është çështje sociale. Çka duhet të ndodhë tutje që kjo Qeveri të marrë masa. Aferat e tilla të cilat po heshten na kanë sjellë deri te një inflacion e import kaq i madh. Ju kërkoj që të debatojmë hapur dhe të nxjerrim bashkë një rezolutë që na nxjerr nga kjo situatë. Nëse pas sotit kryeministri Kurti dhe mazhoranca nuk reagon atëherë dikush i fortë po qëndron prapa këtyre keqpërdorimeve milionëshe”, ka thënë Shala.