Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët për media, ka thënë se ndër temat që kanë folur është edhe ajo e dialogut me Serbinë.
Ai tha se të dyja palët duhet t’i zbatojnë pa kushte marrëveshjet e dakorduara,
“Është bërë progres në vitin e kaluar. Tash është esenciale që të dyja palët t’i zbatojnë të gjitha obligimet pa vonesa, sepse duhet ta shfrytëzojmë momentumin. Të ecim para me zbatimin e marrëveshjes sa më parë dhe të zbatohen pa kushte”, tha ai, duke përmendur edhe konkluzat e Këshillit Europian.
“Ne nga ana jonë jemi të gatshëm për të ofruar programin e investimeve, nga i cili do të përfitojnë të gjithë përmes një dialogu të suksesshëm”.
Ai tha se në takim pati një diskutim të mirë dhe të frytshëm dhe se i kanë prekur të gjitha elementet e progresit që i ka arritur Kosova në të kaluarën.
“Një porosi e qartë që gjithmonë vjen nga Kosova është se është shumë e përkushtuar sa i përket përafrimit në BE. E keni treguar këtë jo vetëm në fjalë, duke na bashkuar neve të gjithëve edhe sa i përket agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Marrë parasysh sanksionet dhe rreshtimin. Kjo gjë çmohet”.
Duke marrë parasysh sfidat gjeopolitike, Varhelyi tha se ka edhe “lajme të mira”.
“Nga vitit 2024 qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm. Kemi diskutuar edhe çështjen e reformavae. Ky është qëllimi i kësaj vizite”, tha ai, duke shtuar se Kosova duhet të përmirësojë edhe zbatimin e kornizës ligjore.
Ndërkaq, për aspektin gjyqësor ai pati disa kritika.
“Në aspektin e luftimit të korrupsionit nevojitet një vullnet i fortë për të adresuar rastet e nivelit të korrupsionit të lartë dhe duhet të nxirren disa vendime të duhura nga gjykatat edhe për të bërë konfiskime. Natyrisht që të kemi angazhimin e sundimit të ligjit. Kemi zotimin e Qeverisë, presim që politikat e dizajnuara të bëhen në zbatim. Kosova është në fazë të hershme, por ka ndërmarrë edhe disa operacione të suksesshme”.
Po ashtu, komisioneri europian përmendi edhe çështjen e mediave.
“Presioni duhet të ndalet ndaj mediave”.
Në anën tjetër, presidentja Osmani tha se sundimi i ligjit nuk është vetëm prioritet në letër për institucionet e Kosovës, por tha se është prioritet për gjithë popullin e Kosovës dhe “si i tillë mbetet në krye të angazhimit tim”.
Ajo bëri të ditur se janë dhënë 6.5 mln euro shtesë në mbështetje për përpjekjet e Kosovës për sundim të ligjit.
“Do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe për projektet që do të afrojnë më tej Kosovën drejt aty ku e kemi vendin, pra në BE”.