Një studim i kohëve të fundit zbuloi se gratë kanë dyfish shanse për të vdekur pas një sulmi në zemër sesa burrat, raportoi The Independent.
Sipas studiuesve, gjetjet e studimit nxjerrin në pah se duhet ngritur më shumë ndërgjegjësim për rreziqet e sëmundjeve të zemrës tek gratë. Studimi zbuloi gjithashtu se gratë që ishin nën 55 vjeç duhej të prisnin 15 minuta më shumë për trajtim pasi të arrinin në spital. Një studim tjetër zbuloi se gratë që kanë një atak në zemër me një arterie koronare plotësisht të bllokuar kanë një prognozë më të keqe se burrat gjatë qëndrimit të tyre në spital. Autorja e studimit Dr Mariana Martinho tha: “Gratë e të gjitha moshave që përjetojnë një infarkt miokardi janë në rrezik veçanërisht të lartë të një prognoze të keqe. “Këto gra kanë nevojë për monitorim të rregullt pas një sulmi në zemër, me kontroll të rreptë të presionit të gjakut, niveleve të kolesterolit dhe diabetit, si dhe referim për rehabilitimin kardiak.
Rezultatet negative u krahasuan gjithashtu midis të dy gjinive pasi morën parasysh faktorë të tillë si diabeti, kolesteroli i lartë, hipertensioni, sëmundja e arterieve koronare, dështimi i zemrës, sëmundja kronike e veshkave, sëmundjet e arterieve periferike, goditjet në tru dhe historia familjare e sëmundjes së arterieve koronare. U zbulua se 11.8% e grave kishin vdekur krahasuar me 4.6% e burrave në 30 ditë. Gati 32.1% e grave kishin vdekur krahasuar me 16.9% të burrave në pesë vjet. Gratë gjithashtu përjetuan ngjarje të mëdha negative kardiovaskulare në pesë vjet ne krahasim me burrat. “Gratë kishin një probabilitet dy deri në tre herë më të lartë për rezultate negative sesa burrat në afat të shkurtër dhe afatgjatë edhe pas përshtatjes për kushte të tjera dhe pavarësisht se kishin marrë PCI brenda të njëjtit afat kohor si burrat”, tha Dr Martinho.