Sirena të alarmit janë lëshuar në katër komunat në veri të Kosovës.
Disa qytetarë kanë njoftuar për alarmin e lëshuar në Mitrovicë të Veriut.
Raportohet se alarme të tilla janë lëshuar edhe në Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok.
Qytetarët serbë janë mbledhur para ndërtesave komunale në Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rijnë në ndërtesa.
Ndërsa kryetari i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Nexhat Ugljanin, ka thënë se sirenat e alarmit “janë lëshuar nga strukturat paralele”, ndërsa si shkak për to ka thënë se “mund të jetë mitingu që do ta mbajë Aleksandër Vuçiqi në Serbi”.
Ndërkohë, në Leposaviq janë vendosur dy kamionë para Komunës.
Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që të gjithë shqiptarë – bënë betimin më 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në Mitrovicë të Veriut ekziston një ndërtesë komunale që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Kryetari i ri, Erden Atiq, u betua atje më 19 maj.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.