Turqit të dielën u kthehen përsëri kutive të votimit për të vendosur se kush do t’i prijë shtetit për mandatin e ardhshëm si president. Erdogani është favorit, por kundërshtari i tij ka tentuar t’i fitojë zemrat e nacionalistëve, duke thënë se do të kthejë në Siri miliona refugjatë sirianë që janë larguar nga shteti i tyre shkaku i luftës civile.
Dy vizione të kundërta me njëra-tjetrën për të ardhmen e Turqisë do të jenë në betejë në balotazhin për postin e presidentit. Shteti turk të dielën do të vendosë mes presidentit gjithnjë e më autoritar dhe sfiduesit të tij që ka premtuar se do t’ia kthejë Turqisë demokracinë.Presidenti Recep Tayyip Erdogan, lider populist dhe polarizues, që ka mbajtur pushtetin për 20 vjet, ka shumë gjasa që ta vazhdojë dominimin në politikën turke. Ai doli i pari në rundin e parë të zgjedhjeve që u mbajt më 14 maj në kohën e inflacionit të lartë dhe dëmeve të mëdha nga tërmeti i muajit shkurt.
Në anën tjetër, Kemal Kilicdaroglu, lider i opozitës pro-sekulare të Turqisë, ka bërë fushatë me premtimin se do ta zhbëjë sistemin autoritar të Erdoganit. 74-vjeçari balotazhin e ka cilësuar si referendum për drejtimin që do të marrë Turqia në të ardhmen.
Me qëllim që ta fitojë përkrahjen e votuesve nacionalistë, Kilicdaroglu, zakonisht i butë në qëndrime, u bë i ashpër në çështjen e refugjatëve, kur premtoi se do të kthejë miliona sirianë nëse i fiton zgjedhjet dhe ka refuzuar çfarëdo mundësie për paqe me militantët kurdë. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje 8 milionë turqve që nuk dolën në rundin e parë të zgjedhjeve, duke thënë se mund të jenë vendimtarë.
Ndërkaq, Erdogani, 69-vjeçar, në rast se rizgjidhet mund të mbesë në pushtet deri në vitin 2028. Aleanca e Erdoganit siguroi shumicën në Parlament, duke shtuar gjasat për fitore pasi shumë votues do të donin të shmangnin një qeveri të përçarë.
Shumë votues kanë shprehur shqetësimet për të drejtat e grave, pasi Erdogani lidhi koalicion me parti islamike. Kjo parti synon të ndalojë arsimimin me gjini të përzier, mbron krimet e tradhtisë bashkëshortore dhe thotë se gratë duhet ta kenë mendjen te shtëpia se sa në punë.
Mirëpo votuesit e tjerë janë shprehur të palëkundur në mbështetjen për Erdoganit. Ata thonë se vetëm ai është i aftë ta rimëkëmbë ekonominë e rrënuar të Turqisë.
Orët e fundit të garës presidenciale kanë kaluar me akuza mes dy kandidatëve. Presidenti Erdogan ka akuzuar Kilicdaroglun për gjuhë të urrejtjes dhe se fitorja e tij do të ishte fitore për terroristët.
Erdogani është favorit, mirëpo rivali i tij beson se margjina mund të jetë e ngushtë – në këto zgjedhje do të vendosin 2.8 milionë votuesit e kandidatit ultranacionalist, që doli i treti në zgjedhje ose tetë milionë votuesit që nuk kanë dalë para kutive në rundin e parë.
Plani me YouTube
Gjatë kësaj jave, për katër orë në ditë, Kilicdaroglu iu përgjigj pyetjeve të audiencës në një kanal të YouTube të quajtur BaBaLa TV. Intervista e tij ka arritur 24 milionë shikime, ndërkaq Turqia ka popullsi prej 85 milionë banorësh.
Anëtarja e fushatës së tij Mehtep beson se maratona në YouTube mund të funksionojë.
“Transmetimi në BaBaLa ka ndikuar te votuesit e rinj që nuk kanë votuar në rundin e parë”, ka thënë ajo.
Ajo është anëtare e partisë nacionaliste e krahut të djathtë, e cila ka përkrahur Kilicdaroglun dhe është partia e vetme në Turqi që ka kryetare, Meral Aksener.
Paraqitja ishte lëvizje e zgjuar për kandidatin që përpiqet të kapërcejë avantazhin e brendshëm të rivalit të tij që kontrollon rreth 90% të mediave turke.
Monitoruesit ndërkombëtarë thonë se votuesit mund të kenë pasur zgjedhje të vërtetë, por se Turqia “nuk i përmbushi parimet bazë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike”
Presidenti Erdogan jo vetëm që ka grumbulluar pushtete gjithëpërfshirëse në gjashtë vjetët e fundit – ai ka goditur disidencën dhe kundërshtarët politikë i ka çuar në burg.
Duke parashikuar fitoren e Erdoganit dhe paqëndrueshmëri të mëtejshme ekonomike, tregjet financiare reaguan me lirën turke që arriti në nivele rekord ndaj dollarit të premten. Kërkesa për valutë të huaj është rritur dhe rezervat valutore neto të bankës qendrore kanë rënë në territor negativ për herë të parë që nga viti 2002.
Kjo do të jetë pak shqetësuese në qytetin Bala, një orë larg në jug-lindje të Ankarasë.
Më shumë se 60% e votuesve mbështetën presidentin Erdogan atje dy javë më parë.
Përtej rrugës nga selia e partisë së presidentit, pronari i qebaptores “Al Ozdemir” thotë se do ta votojë Erdoganin edhe për pesë vjet të tjerë.
Por një tjetër tregtar refuzoi t’i tregonte BBC-së se kë e mbështeste sepse kishte frikë se do të humbiste mbështetësit e Erdoganit si myshterinj.
Për muaj të tërë, ekonomia në vështirësi e Turqisë ishte çështja numër një, por ndërsa balotazhi i së dielës mbyllet, retorika është intensifikuar dhe refugjatët janë në qendër të saj.
Profesori Murat Erdogan (nuk ka lidhje me presidentin Erdogan), i cili kryen po kryen një studim në terren të quajtur Barometri Sirian, beson se numri i përgjithshëm i refugjatëve sirianë dhe emigrantëve të parregullt nga Irani, Iraku, Afganistani dhe Pakistani është më afër gjashtë ose shtatë milionë.
“Diskursi i tyre nuk është realist, fizikisht është i pamundur”, thotë Erdogan. “Nëse flasim për [riatdhesimin] vullnetarisht nuk është e realizueshme dhe me forcë do të thotë se më shumë se 50,000 duhet të kthehen në ditë”.
Retorika është e pakëndshme, por mund të bëjë ndryshim. Rreth 85% e turqve duan që refugjatët nga lufta civile në Siri të kthehen në shtëpi, kanë treguar sondazhet e ditëve të fundit.
Të dyja palët kanë parti nacionaliste për të mbajtur krah, thotë shkencëtari politik Nezih Onur Kuru nga Universiteti Koc dhe zoti Kilicdaroglu po përdor shqetësimet e sigurisë që ndiejnë shumë votues, veçanërisht të rinjtë.
Fillimisht u mendua se presidenti Erdogan mund të mposhtej për shkak të trajtimit të tij të dobët të ekonomisë së Turqisë dhe reagimit të tij të dobët ndaj tërmeteve të shkurtit. E megjithatë pothuajse gjysma e votuesve e mbështetën atë. Pyetja është nëse ndryshimi i qëndrimit të Kilicdaroglut do të funksionojë.
“Unë doja një ndryshim, të gjithë klientët e mi donin një ndryshim”, thotë Songul në restorantin e saj të pulave në Bala. Por në fund ajo thotë se të gjithë janë për presidentin sepse nuk i besojnë kundërshtarit të tij. “Unë do të votoj për Erdoganin pasi nuk ka alternativë”.