Konjufca dënon dhunën: Bandat kriminale serbe synojnë shkëputjen e pjesës veriore nga vendi ynë

by informim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, duke dënuar sulmet e protestuesve serbë ndaj pjesëtarëve të KFOR’it.

Ai ka vënë në pah prezencën e njerëzve të maskuar që u prezantuan në protestë, të cilët kishin simbole gjenocidale serbe.

”Dënoj ashpër dhunën e bandave të organizuara kriminale serbe ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në terren! Shpreh solidaritetin tim personal dhe institucional për 25 ushtarët e plagosur të misionit paqeruajtës dhe uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

”Pjesëmarrja e njerëzve të maskuar në atë që u prezantua si protestë, shpërfaqja e simbole të luftërave gjenocidale serbe dhe pushtimit rus në Ukrainë, sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, përdorimi i mjeteve dhe dhunës së rëndë ndaj trupave të ruajtjes së rendit, tregojnë atë që tashmë dihej: synimin për ta mbajtur të shkëputur pjesën veriore të vendit tonë nga çdo prekje e ligjit dhe rendit që disponon Republika e Kosovës”, ka thënë ai.

Më tutje, Konjufca ka kërkuar nga ambasadat e vendeve mike që ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale.

”Ndërkohë, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat haptazi janë të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe që synojnë destabilizimin e vendit tonë”.

“Gjithashtu, i bëj thirrje organeve kompetente të drejtësisë që të nisin hetimet ndaj atyre që i bënë këto akte të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve të terrenit! Është koha që dhunës t’i përgjigjemi me një zë të përbashkët. Ajo nuk mund të tolerohet”, ka thënë Konjufca, të hënën.

https://www.facebook.com/GlaukKonjufca1981/posts/787923029372061
banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy