Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar për tensionet në Veriun e Kosovës, duke dënuar kështu sulmet e grupeve kriminale ndaj forcave të KFOR-it, gazetarëve dhe objekteve të institucioneve të së Kosovës.
Në kumtesën e LDK-së thuhet se “sulmet e tilla të dhunshme dhe të paprovokuara nuk kanë vend në shtetet demokratike dhe duhet të ndalen menjëherë”.
“Veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës e deri në shtensionimin e plotë të gjendjes, teksa institucionet e rendit dhe ligjit të sjellin të gjithë kryerësit e sulmeve të tilla para drejtësisë”, vazhdon njoftimi.
Partia opozitare që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Qeveria koordinim me ndërkombëtarët
”Koordinimi me miqtë tanë ndërkombëtarë është jetik. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të sigurohen që asnjë veprim i mëtutjeshëm të mos bëhet pa koordinim të ngushtë me ta. Çdo moskoordinim mund t’i kushtoj pozicionit tonë politik dhe demokratik për paqe dhe stabilitet brenda dhe jashtë vendit”
“LDK u bën thirrje të gjithë gazetarëve për vigjilencë të plotë dhe bashkëveprim në përputhje me të gjitha udhëzimet e forcave të rendit derisa vazhdon t’i përcjellë këto zhvillime me shumë shqetësim”, thuhet në njoftimin e LDK-së.