Lira e Turqisë arriti në nivele të reja rekord ndaj dollarit të hënën, megjithëse në anën tjetër stoqet u rritën, pasi që presidenti Tajip Erdogan siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale të së dielës, duke e zgjatur “sundimin” e tij gjithnjë e më autoritar në një dekadë të tretë.
Pavarësisht trazirave ekonomike që po zgjasin me vite, për çka kritikët i fajësojnë politikat e tij joortodokse ekonomike, Erdogan prap arriti të fitoj ndaj një opozite e cila ishte zotuar ta stabilizonte ekonominë e vendit.
Lira u dobësua në 20,1050 për dollar gjatë ditës së saj më të keqe të tregtimit në tetë muaj, duke thyer rekordin e mëparshëm të ulët që ishte regjistruar të premten.
Lira ka rënë me më shumë se 7% që nga fillimi i vitit dhe ka humbur më shumë se 90% të vlerës së saj gjatë dekadës së fundit.
“Në mungesë të një kthese në politikat e tija ekonomike, do të shfaqet rreziku i një krize akute të monedhës turke,” tha kryeanalistja e Danske Bank Minna Kuusisto lidhur me Erdoganin.
Pas një krize valutore në vitin 2021, autoritetet turke morën një rol gjithnjë e më praktik në tregjet e këmbimit valutor. Lëvizjet ditore u bënë në mënyrë të panatyrshme të vogla ndërsa rezervat e valutës dhe arit u pakësuan.
Pjesa e menaxherëve të huaj të aktiveve që mbajnë aksione turke është zvogëluar vitet e fundit dhe është zëvendësuar me investitorët vendas që drejtojnë kryesisht tregun.
Gjatë javës së kaluar, obligacionet e dollarit të vendit ranë në nivelin më të ulët në të paktën gjashtë muaj e fundit, ndërsa CDS u rrit në nivelin më të lartë në shtatë muaj. Të hënën, obligacionet ndërkombëtare të Turqisë ishin të qëndrueshme me SHBA dhe shumë tregje evropiane të mbyllura për pushime, ndërsa CDS po luhateshin në nivelin e mbylljes të së premtes.
“Rezultati i zgjedhjeve, me Erdoganin që siguron një shumicë solide, sugjeron një vazhdimësi të politikave që kanë kontribuar në një rënie të bazave të vendit,” tha Jeff Grills, kreu i borxhit të tregjeve në zhvillim në Aegon Asset Management.
Zhvlerësimi i lirës dhe tendosja e rezervave tashmë të ulëta shtojnë shqetësimet për investitorët e bonove. (Burimi: Reuters)