Prej ditësh situata në veri të Kosovës vijon të jetë e tensionuar pasi qytetarët serbë kanë dalë kundër kryetarëve të 4 komunave në veri.
Lidhur me situatën dhe ndodhitë në Kosovë ka reaguar edhe opozita shqiptare.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dënuar sulmet e paprovokuara ndaj KFOR-it, gazetarëve dhe institucioneve. Meta tha se palët duhet të tregojnë vetëpërmbajtje e të ç’tensionojnë situatën.
“Po ndjek prej ditësh, me një vëmendje të shtuar, zhvillimet tepër shqetësuese në veri të Kosovës si dhe reagimet e palëve për to. Dënojmë me forcë sulmet e paprovokuara dhe tërësisht të pajustifikuara ndaj forcave të KFOR-it, ndaj gazetarëve dhe institucioneve.
As KFOR dhe as Policia e Kosovës nuk kanë sulmuar asnjë qytetar të asnjë etnie. Në interesin më të mirë të qytetarëve, palët duhet të tregojnë vetëpërmbajtje, që do të ç’tensiononte situatën e konfliktit, e cila, më së shumti duket të jetë e nxitur nga synimet e aktorëve të tretë, që duan të ketë jo paqe të qëndrueshme, por konflikt të vazhdueshëm dhe destabilitet. Vuçiçi duhet ta largojë ushtrinë nga kufiri i Kosovës.
Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të mos cënohet në suksesin e tij. Shqipëria do të jetë gjithmonë dhe pa kushte në krahun e Kosovës dhe në krahun e NATO-s për të garantuar paqen dhe sigurinë në rajon”, shkroi Meta.
Edhe deputeti demokrat, Kreshnik Çollaku ka reaguar për tensionet në veri të Kosovës duke thënë se Shqipëria duhet të reagojë për kërcënimin e paqes në Ballkan.
“Me ushtrinë serbe të rreshtuar në kufi, dhe me lajmet se mercenarët rus të Wagner po futen në Kosovë, Shqipëria nuk mund të heshtë, Shqipëria duhet zyrtarisht të denoncojë kudo këtë kërcënim të Paqes dhe Sigurisë në Ballkan. Shqipëria nuk mund ta lërë vetëm Kosovën”, tha Çollaku.
Kujtojmë në ditë më parë ka reaguar edheish-kryedemokrati Lulzim Basha, i cili dënon sulmin ndaj KFOR, ndërsa thotë se është e qartë që Aleksandër Vuçiç është i interesuar për destabilizim.
“Thellësisht i shqetësuar për situatën në veri të Kosovës. Dënoj me forcë dhunën e paprovokuar ndaj trupave të KFOR, Policisë së Kosovës dhe mediave. Për këdo është e qartë se kush është i interesuar për dhunë dhe destabilizim. Autoritetet e Kosovës duhet të tregojnë maturi në këtë situatë të tensionuar dhe të veprojnë në koordinim të pandarë me aleatët tanë, SHBA, BE dhe NATO. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur nga SHBA me rezultat njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja rruga për paqe dhe stabilitet dhe për një jetë më të mirë për shqiptarët dhe serbët në Kosovë”, tha Basha.
Po ashtu ditën e djeshme edheish-kryeministri, Sali Berisha, i cili akuzon presidentin serb Aleksandër Vuçiç se në bashkëpunim me Kremlinin po kërkon destabilizimin e Kosovës.
Sipas Berishës, në Kosovë janë dërguar banda kriminelësh nga Beogradi si dhe ato serbe lokale. Ai shprehet se ushtarët e KFOR janë sulmuar nga kriminelë me maska e mjete të forta
Reagimi i Berishës:
Serbomadhi Vuçiç në bashkëpunim me Kremlinin, kërkon destabilizimin e Kosovës.
Të dashur miq, Presidenti i serbomadhisë ka angazhuar fallangat e tij kriminale të dërguara nga Beogradi dhe bandat serbe lokale, në veprime të dhunshme kundër ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve dhe policisë së Kosovës që po mbajnë rendin dhe sigurinë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Gjatë shpërndarjes së protestuesve serbë në këto komuna, ushtarët e KFOR-it janë sulmuar nga kriminelë me maska, me dhjetëra shok-bomba, mjete të forta dhe lëndë të tjera djegëse, shishe molotov, janë dëgjuar dhe të shtëna me armë.
Gazetarët e Radios “Evropa e Lirë” kanë njoftuar se janë parë disa ushtarë të plagosur të KFOR-it dhe një veturë e këtyre njësive duke u djegur nga mjetet shpërthyese që janë hedhur. Ndërkaq, gazetarët në Zveçan raportojnë se një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë skenar të bashkrenduar të Beogradit me Kremlinin, sulmet kriminale të fallangave të gangsterëve serb kundër KFOR-it, ushtarëve të tij, gazetarëve dhe policisë së Kosovës.