“Po ia rrëzon Kosovës aleancat me botën demokratike”, Haradinaj: Kurti të japë dorëheqje menjëherë

by informim

Kryetari i AAK-së dhe ish kryeministri, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me veprimet e pamatura po prish miqësitë dhe aleancat e Kosovës me botën demokratike. Ai ka kërkuar që kryeministri Kurti të japë dorëheqje menjëherë.

Haradinaj ka thënë se “Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa”.

banner

“Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s ‘Defender Europe 2023’ është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike?”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.

Më tej kreu i AAK-së ka thënë se “shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca”.

“Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë”.

Haradinaj ka thënë se “populli i Kosovës që është populli më properëndimor i kontinentit, do të dijë t’i ruajë miqtë dhe orientimin e vet. Është i vogël Albin Kurti t’ia ndërrojë orientimin Kosovës dhe popullit të saj”.

“Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!”, ka thënë kreu i AAK-së.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha sot se  anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar më 26 maj se veprimet e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore, do të rezultojnë me pasoja në raportet dypalëshe.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në ‘Defender Europe 2023’, gjë që ndodhi gjatë natës”, tha Hovenier, transmeton REL.

“Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, shtoi ai.

SHBA-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë në komunat veriore “hynë me forcë” në ndërtesat komunale në veri.

Hovenier tha se SHBA-ja po mendon edhe për vendime të tjera që do të marrë në këtë drejtim.

“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se çfarë do të jenë veprimet tona të tjera”, tha ai.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy