Raporti i policisë për protestat e dhunshme në Veri: Dy serbë të arrestuar dhe automjete të djegura

by informim

Policia e Kosovës njofton se protestuesit në Zveçan gjatë ditës së djeshme kanë dëmtuar tri automjete të EULEX-it si, dy automjete të Njësisë Speciale dhe një automjet i Policisë së Kosovës është djegur tërësisht. Disa automjete të mediave janë dëmtuar, ndërsa një automjet tjetër në Zubin Potok është djegur tërësisht nga protestuesit.

Për shkak të dyshimit se kanë qenë të përfshirë në sulme ekstreme të dhunshme me mjete shpërthyese, ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, dy meshkuj  serb me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

banner

“RREZIKIM I PERSONAVE NËN MBROJTJE NDËRKOMBËTARE & PJESMARRJE NË TURMË QË KRYEJNË VEPËR PENALE DHE HULIGANIZËM /Prishtinë  29.05.2023 – 18:30. Për shkak të dyshimit se kanë qenë të përfshirë në sulme ekstreme të dhunshme me mjete shpërthyese, ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, dy meshkuj  K-Serb me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë dërguar në mbajtje për 48 orë, përderisa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime të mëtejme, nga njësitet relevante policore”, njofton policia në raportin e saj 24-orësh.

Policia informon se një automjet i policisë është djegur tërësisht, lidhur me rastin nuk ka të arrestuar.

“Gjatë zhvillimeve të protestës, grupe ekstremisht të dhunshëm, kanë eskaluar duke djegur tërësisht një automjet të PK-së,  janë dëmtuar dy automjete të njësisë speciale (shpuar gomat, u është hedhur ngjyrë dhe janë shkruar grafite nacionaliste. Në lidhje me këtë është konsultuar prokurori kujdestar i shtetit për krime të rënda nga i cili kemi marr udhëzimet në lidhje me rastin”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Një automjetit u janë hequr targat dhe janë shkruar simbole me sprej.

“Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se derisa ka qenë duke filmuar protestën në Zveçan, kur janë kthyer tek automjeti i tyre kanë vërejtur se u është hequr targa nga automjeti dhe me sprej kanë shkruar katër S, dhe në parafango është hedhur ngjyrë”, thuhet tutje në raportin e policisë.

Automjeteve të mediave u janë dëmtuar gomat.

“Leposaviq 29.05.2023 – 14:00. Ankuesit kosovarë kanë raportuar se në automjetet e mediave kanë gjetur të shkruar simbole nacionale serbe katër S, goma të dëmtuara si dhe ngjyrë të kuqe. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të policsë.

Ndërsa në Zubin Potok një automjet është djegur tërësisht.

“Zubin Potok 29.05.2023 – 15:30. Është raportuar se në afërsi të qytetit është djegur një automjet që dyshohet se është djegur nga protestuesit që kanë marrë pjesë në Zubin Potok. Rasti është duke u hetuar”, njofton policia në raportin e saj.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy