Irani mbron vendimet për ekzekutim të protestuesve

by informim

Kreu i gjyqësorit të Iranit, Gholamhossein Mohseni-Ejei, i ka mbrojtur vendimet për dhënien e dënimeve me vdekje për disa protestues të përfshirë në protestat mbarëkombëtare që shpërthyen në shtator të vitit të kaluar pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini.

Amini kishte vdekur gjatë kohës sa ishte në mbajtje policore nga policia e moralit mbi akuzat se kishte shkelur ligjin e detyrueshëm për mbajtjen e hixhabit.

banner

Në një fjalim të mbajtur më 30 maj, Mohseni-Ejei deklaroi se dënimet për ata që “duhet të ekzekutohen” do të zbatohen pa përjashtim “duke respektuar standardet ligjore dhe drejtësinë”.

Irani deri më tani ka ekzekutuar të paktën shtatë protestues, duke nxitur zemërim në mesin e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe shumë vendeve të Perëndimit, të cilët i kanë quajtur proceset ligjore kundër të akuzuarve gjyqe “të rreme”, ku vendimet nxitohen prapa dyerve të mbyllura.

Organizata ndërkombëtare Amnesty International, në një raport të publikuar së fundi, paralajmëroi për rrezikun e menjëhershëm të ekzekutimit të shtatë të burgosurve të tjerë, të arrestuar gjatë protestave.

Grupi i të drejtave të njeriut i identifikoi këta të burgosur si Ebrahim Naroui, Kambiz Kharot, Manochehr Mehmannavaz, Mansoreh Dehmardeh, Mohammad Ghabadlo, Mujahed (Abbas) Korkor dhe Shoaib Mirbaluchzehi Rigi.

Mohseni-Ejei e cilësoi rezistencën civile kundër ligjit të detyrueshëm për hixhabin, të cilën e kanë udhëhequr gratë iraniane, si të ndikuar nga “dora e armikut”.

Ai nuk dha detaje të tjera, por zyrtarët iranianë e kanë fajësuar vazhdimisht Perëndimin për protestat në Iran, të përshkruara si sfida më e madhe për qeverinë islamike që nga revolucioni i vitit 1979.

Aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se autoritetet në Iran po përdorin ekzekutimet për të tentuar të ngjallin frikë në shoqëri dhe jo për ta luftuar krimin.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy