Kryetari i kuvendit, Galuk Konjufca, ka komentuar deklaratën e ashpër të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për sa i përket situatës në veri.
Ai tha se kjo nuk është hera e parë që po ndodh, pasi sipas tij, një gjë e tillë kishte ndodhur edhe dy vjet më parë, kur Kosova aplikoi reciprocitetin ndaj Serbisë, teksa qortimin amerikan e cilësoi si jo të mirë.
“Kjo nuk është e mirë për ne. E pranojmë që është një gjë e keqe për Kosovën. Gjithçka që duhet të bëjmë është që ta bëjmë një dialog të hapur me të gjithë miqtë dhe partnerët dhe t’i argumentojmë pozicionet tona. Ndoshta pozicionet tona s’po kuptohen drejt nga ShBA-të”, tha Konjufca, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se pas dorëheqjes së kryetarëve serbë të veriut, institucionet e Kosovës atje mbeten vakante.
“Atje shteti i Kosovës nuk pati zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve, bile pas një dakordimi pikërisht me ShBA-të që zgjedhjet të shtyhen për pesë muaj. Ne i dëgjuam ata dhe i shtymë zgjedhjet për pesë muaj. Kur u harxhuan pesë muaj, dy opsione kishte Kosova, ta dëgjonte Vuçiqin, ose të procedonte siç thotë Kushtetuta. Ne e zgjodhëm opsionin e dytë, s’vjen në shprehje për alternativa tjera”, tha Konjufca,