Në komunat në veri të vendit ku serbët po protestojnë që disa ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.
Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave të këtyre komunave.
Për dallim nga ditët e kaluara, gjatë natës së mbrëmshme në komunën e Zubin Potokut, pjesëtarët e Policisë së Kosovës që qëndruan për tre ditë me radhë në vijën e parë përballë protestuesve, janë zëvendësuar me ushtarë të KFOR-it, ndërsa policët ndodhen brenda objektit komunal.
Serbët kanë paralajmëruar për sot nga ora 7:00 të mëngjesit protesta më masovike në këto komuna.
Ndërkaq, në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së Komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal. /kp/