Lumir Abdixhiku ka thënë se LDK-ja do të përdorë të gjitha rrugët institucionale dhe demokratike për të ndalur “politikën e rrezikshme” të Kurtit për t’i luftuar aleatët ndërkombëtarë të Kosovës. Një nga kërkesat e tij është që Presidentja Vjosa Osmani të mos hesht.
Lideri i partisë opozitare ka thirrur konferencë për të dhënë qëndrimin e LDK-së, pas tensionimit të raporteve mes Qeverisë së Kosovës dhe të SHBA-së.
Ai ka treguar se partia e tij i ka tri kërkesa. E para është raportimi i Kryeministrit Kurti në Kuvend për zhvillimet në veri dhe për prishjen e raporteve me SHBA-në.
“E para, LDK-ja e ka kërkuar në seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në veri, në veçanti për të raportuar për relacionet e rënduara me aleatët, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Abdixhiku.
Kërkesa e dytë e LDK-së është që Qeveria të vendosë bashkërendim me aleatët e saj perëndimorë, për ta shtensionuar situatën në veri, e cila eskaloi të premten kur kryetarët e rinj shqiptarë u futën në objektet e komunave veriore përmes njësisë speciale.
“Nën 2, LDK-ja kërkon koordinim të ngushtë të Qeverisë së Kosovës me kërkesat e ndërkombëtarëve, si hap i parë drejt qetësimit të situatës në veri”, tha Abdixhiku.
Kërkesa e tretë e LDK-së, ka të bëjë me Presidenten Vjosa Osmani, e cila nuk është deklaruar për qëndrimet e fundit të shprehura nga zyrtarë amerikanë për ndëshkimin e Kosovës.
“Nën 3. LDK-ja i bën ftesë Presidentes që të flasë. Të ketë një pozicion të qartë dhe të zëshëm në këtë cështje jetike të përballjes publike të Qeveirsë së Kosovës me Qeverinë e SHBA-së. Heshtja e Presidentes në momënte e tema si këto, është abstenim nga funksioni kushtetues i saj”, ka thënë Abdixhiku.