Bashkimi Evropian u kritikua se është pjesërisht përgjegjës për trazirat në veri të Kosovës, nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Sijarto, pjesëtarët e shtetit të të cilit, në kuadër të KFOR-it, patën pësuar lëndime në trazirat e së hënës në Zveçan. Ai e kritikoi BE-në se ka ndikuar në krijimin e jostabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor me anë të vonesave në procesin e zgjerimit. Por këtë kritikë e hodhën poshtë të enjten nga Komisioni Evropian
Komisioni Evropian i ka hedhur poshtë kritikat se mban pjesërisht përgjegjësi për shkak të trazirave në Kosovë, shkaku që e ka vonuar procesin e zgjerimit të BE-së.
Këto reagime nga Komisioni Evropian kanë ardhur pas kritikave që i ka shprehur ministri i Jashtëm i Hungarisë, Sijarto, i cili ka thënë se Bashkimi Evropian, duke e vonuar procesin e zgjerimit të BE-së dhe duke u vonuar në veprimet e veta, ka ndikuar që të krijohet jostabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që u pa me shpërthimin e tensioneve në veri të Kosovës.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Ana Pisonero, ka thënë se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për procesin e zgjerimit dhe se është prioritet që qasja ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ajo tha se nuk varet gjithçka nga Komisioni Evropian, por edhe nga vendet anëtare dhe se Komisioni Evropian vazhdon të jetë i interesuar për ta përshpejtuar procesin e zgjerimit të BE-së.
Ajo po ashtu rikujtoi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dhënë një propozim të ri për të përfshirë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët evropian edhe para se ato të bëhen anëtare të BE-së.
Po ashtu, Komisioni ka paralajmëruar se do të kërkojë edhe më shumë mjete financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor për t’ju ndihmuar atyre që të përgatiten sa më mirë për t’u integruar në Bashkimin Evropian.