Edhe pse më herët presidentja Vjosa Osmani, ka refuzuar të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, megjithatë, një takim i shkurtër ka ndodhur, gjatë së enjtes.
Osmani tha se gjatë takimit ishin të pranishëm edhe presidenti i Francës, Emanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Presidentja theksoi se edhe njëherë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe.
“Në fund të takimit me Macron dhe Scholz ata propozuan që të kishte edhe një diskutim joformal me presidentin e Serbisë, natyrisht në takim ishte edhe përfaqësuesit i Lartë i BE-së, Josep Borrell. E kishim një takim të përbashkët diku 10 minuta, ku edhe njëherë u dëshmua se Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe, por në fakt është burimi kryesor i jostabilitetit në gjithë rajonin tonë”, u shpreh ajo.
Më tej presidentja Osmani tha se do të vazhdojë të punojë me Gjermaninë, Francën e SHBA-në si aleat yni kyç, por edhe me shtetet e tjera prej disa prej çështjeve që i propozuan edhe presidenti Macron, edhe kancelari Scholz, e që i ka propozuar edhe sekretari i shtetit amerikan, Antony Blinken.
“Ka mundësi që të gjinden zgjedhje përpara. Vullnetin e kemi të përbashkët dhe ai është Kosova sovrane dhe e pavarur të jetë e suksesshme në gjithë territorin e saj. Natyrisht asnjëherë duke mos i ikur obligimeve që t’i mbrojmë të gjithë qytetarët, përfshirë edhe pakicën serbe”, ka theksuar Osmani në një intervistë për RTK-në nga Moldavia, ku ka marrë pjesë në Samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kishinau të Moldavisë.
Në fund tha se zgjidhjet për shtensionim të situatës ekzistojnë por ato duhet të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, derisa shtoi se takimi trelateral ka qenë propozim i përbashkët i Macronit dhe Scholzit.