Nikolla Joviq nga Serbia iu ishte bashkuar forcave pro ruse në Donbas në vitin 2015. Për pjesëmarrje në këtë luftë, gjykata serbe e kishte dënuar me dënim qesharak, një vit burgim me kusht. Por, Joviq sikurse në vitin 2022 edhe këtë vit është shfaqur në Zveçan, ku serbët lokalë po protestojnë.
Por, a po përdoret Joviq nga shërbimet ruse për të përhapur propagandë në dëm të Kosovës dhe për të nxitur incidente ndëretnike?
Predrag Petroviq, drejtor i kërkimit në Qendrën joqeveritare të Beogradit për Politikë të Sigurisë (BCBP), thotë për Radion Evropa e Lirë se prania e Joviqit në vetvete nuk paraqet rrezik sigurie, megjithatë, ai nënvizon:
“Ajo që mund të përbëjë një sfidë sigurie është se si do të transmetohen ato lajme më tej, veçanërisht në kanalet pro-ruse dhe të krahut të djathtë ekstrem. Vetë fakti që ai ishte atje mund të përdoret për qëllime propagandistike në ato kanale,” thotë Petroviq.
Në një intervistë për televizionin RTRS ai ka përhapur propagandë se kinse kryetarët e komunave ne veri janë të zënë rob.
“Serbët i kanë ofruar mundësi kryetarit që të dalë sigurt nga ndërtesa e komunës së Leposaviqit, por më nuk do të mund të kthehet në atë ndërtesë” ka thënë Joviq.
Ndryshe, Nikola Joviq disa her ishte prezantuar edhe si gazetar i medias RT, televizion propagandues rus. Ndërsa sot prezantohet si gazetarë i televizionit nga Republika serbe RTRS.