Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë tha se zoti Finer zëvendës këshilltari amerikan për siguri kombëtare, kishte biseduar të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të premten me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke shprehur shqetësimin e Shteteve të Bashkuara për situatën në veri.
Sipas njoftimit të zyrës së shtypit në Shtëpinë e Bardhë, “Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga vend-ndodhje alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të punuar për krijimin e kushteve për zgjedhje të reja”.
Në anën tjetër, zoti Finer gjithashtu i bëri thirrje edhe presidentit serb për marrjen e masave për qetësimin e gjendjes. “Ai i kërkoi Qeverisë së Serbisë që të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t’u bëjë thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin për telefonatën e së premtes.
Sipas raportimeve të medieve të ndryshme, pavarësisht qendrimeve dhe deklaratave këmbëngulëse për zgjedhje legale dhe legjitime, në dy ditët e fundit si kryeministri Kurti, ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë shprehur vullnetin për zgjedhjet e reja.
Bazuar në këto që flitet, me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këto komuna, fituesit e zgjedhjeve të 23 Prillit të cilat u bojkotuan nga serbet lokal, duket se do ta kenë një mandat të shkrtër dhe që do të mbahet mend se nuk arriten asnjëherë të sistemohen në mjediset zyrtare.
Këto zhvillime të reja janë pasojë e tensioneve të krijuara nga rezistenca e dhunshme dhe gjithë kohen të komanduara nga politika e Beogradit të cilët i paralizuan komunat e veriut të Kosovës për të mos i lejuar kryetarët e zgjedhur të hyjnë në objektet komunale.
Perëndimi ka ushtruar trysni për uljen e tensioneve dhe gjetjen e zgjidhjeve, përfshirë zgjedhje të reja lokale në veri të Kosovës, uljen e gatishmërisë së trupave serbe në kufi dhe riangazhimin për procesin e normalizimit.
“Zoti Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”.