Komandanti i KFOR-it akuzon Kurtin: Të mos konsiderohemi ombrellë strehimi pas veprimeve të njëanshme

by informim

Misioni i NATO-s nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet ombrellë nën të cilën gjendet strehim pas veprimeve të njëanshme që shqetësojnë ekuilibra shumë të pasigurt, ka thënë komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia.

Ristuccia ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për veprime të njëanshme, duke thënë se i vendosi kryetarët e rinj të veriut në objektet komunale pa marrë parasysh këshillat e komunitetit ndërkombëtar dhe se autoritetet kosovare kanë përdorur forcë pa u konsultuar me KFOR-in, “duke e bërë kështu të nevojshme ndërhyrjen për të shmangur një tragjedi”.

banner

“Të mos pretendojmë se kjo është një situatë normale. Këto vendime merren pa koordinim paraprak me ne dhe me palët e përfshira. Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Është metodë që sigurisht nuk është e favorshme për besimin reciprok. Pasojat e dëmshme të këtij lloji veprimi duhet të vlerësohen gjithmonë”, ka thënë ai për gazetën italiane “Corriere Della Sera”.

Komandanti i KFOR-it më tej ka thënë se veriu i Kosovës pa misionin e NATO-s do të ishte një tjetër vatër lufte.

“Situata me të cilën po përballemi është rezultat i një sërë krizash që janë grumbulluar me kalimin e kohës. Le ta quajmë një paqëndrueshmëri të kontrolluar, por ajo po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme në terren, për shkak të brishtësisë së marrëdhënieve midis dy grupeve etnike dhe atyre që i përfaqësojnë ato. Çdo ekuilibër i arritur me përpjekje të mëdha, krizë pas krize, po bëhet gjithnjë e më i pasigurt”, ka thënë ai.

I pyetur se sa është i lartë rreziku për përkeqësim të mëtejshëm të situatës, Ristuccia ka thënë se ndërhyrja e NATO-s në veri ka krijuar një efekt afat-shkurtër.

“Përmes aksionit diplomatik, Serbia dhe Kosova kanë filluar të bisedojnë sërish me njëra-tjetrën. Shpresojmë se kjo dritare kohe do të përdoret për të filluar negociatat reale. Siç nuk është bërë deri tani”, është shprehur ai.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy