Muaji i Maj ka qenë një muaj dinamik për policinë Shqipëtare, ata kanë kryer 79 operacione policore dhe kanë arritur të identifikojnë dhe të kapin 68 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale të kryera më herët.
Duke përdorur pajisje të avancuara të bazuara në teknologji inovative të informimit, policia shqipëtare ka arritur të identifikoj persona që merren me kultivimin e kanabisit në qarqet Durrës, Lezhë dhe Shkodër.
Si rezultat i megaoperacioneve “Territor i pastër”, “Imazhi” dhe “Alpe të pastra”, janë asgjësuar 39.613 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa. Për këto raste u vunë në pranga disa shtetas, si dhe vijojnë veprimet hetimore dhe operacionale, për përcaktimin e autorësisë së rasteve të tjera. Janë finalizuar 17 operacione, si rezultat i të cilave janë sekuestruar 2.3 kg kokainë, 170 kg cannabis sativa, 70 bimë opiumi, vaj kanabisi dhe ekstazi.
Gjatë muajit veçohen megaoperacionet policore të koduara “Kodra e Diellit 2” dhe “Reset”, të zhvilluara në Tiranë dhe në Vlorë, në kuadër të të cilave u vunë në pranga 6 shtetas. Në Tiranë, 5 shtetasit e arrestuar shpërndanin kokainë në sasi të mëdha, ndërsa në Vlorë, një shtetas me precedent penal, transportonte 10 pako me 104 kg lëndë narkotike cannabis sativa.
Gjatë muajit maj 2023, janë parandaluar një sërë ngjarjesh kriminale në Vlorë, Durrës, Elbasan dhe Dibër, të cilat synoheshin të kryheshin për shkak të marrëdhënieve familjare ose për shkak të konflikteve të mëparshme ndërmjet shtetasve me precedent penal, si dhe të cilat mund të kryheshin duke përdorur armë zjarri.
Poashtu gjatë këtij muaji janë vënë në pranga 112 drejtues mjetesh, nga të cilët 64 për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit dhe 48 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Gjithashtu, janë pezulluar 624 leje drejtimi, nga të cilat 465 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 100 për drejtim mjeti, në ndikimin e pijeve alkoolike dhe 59 për qarkullim në sens të kundërt me lëvizjen.