Qeveria Kurti me nivelin më të ulët të investimeve kapitale

by informim

Në tremujorin e parë të këtij viti Qeveria ka shpenzuar 40.5 milionë euro nga gjithsej 811 milionë euro të ndara për investime kapitale. Ky nivel i ulët i realizimit të buxhetit, që është në masën vetëm 5 për qind, është më mirë krahasuar me vitin e kaluar, por më dobët krahasuar me periudhën e njëjtë gjatë shumicës së viteve të qeverive të kaluara.

Në mandatin e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, niveli i realizimit të projekteve kapitale në tremujorët e parë ka qenë më i lartë, me përjashtim të dy vjetëve pas shpalljes së pavarësisë.

Në vitin 2012, për këtë kategori u shpenzuan 109 milionë euro për tre muaj, ndërsa një vit më pas u shpenzuan 87 milionë euro, ani se gjatë 2012-s buxheti për investime kapitale ishte 614 milionë euro, respektivisht 622 milionë për 2013-n. Në tremujorin e parë të 2014-s, vlera e investimeve ishte rreth 40 milionë.

Edhe gjatë qeverisjes së LDK-së, në krye me ish-kryeministrin Isa Mustafa, niveli i investimeve kapitale në çerekun e parë gjatë tre vjetëve ishte në mesatare mbi 46 milionë euro.

Nivel më të lartë të realizimit të investimeve kapitale pati edhe në qeverisjen e Ramush Haradinajt. Gjatë tremujorit të parë të 2018-s u shpenzuan mbi 80 milionë euro, ndërsa një vit më vonë mbi 43.54 milionë euro.

Rreth 58 milionë euro për investime kapitale u shpenzuan edhe në tremujorin e parë të 2021-s, kohë kur Qeveria u drejtua nga Avdullah Hoti.

E në opozitë kritikuan Qeverinë për ngecje në realizimin e projekteve.

Deputeti Ferat Shala tha se statistikat tregojnë për paaftësinë e Qeverisë Kurti për udhëheqje me projekte që janë bazament i zhvillimit.

“Kjo ka reflektuar te shumë kompani ndërtimore, kompani ndërtimore dhe të mjedisit të cilat janë jashtë tregut të punës. Mijëra punëtorë presin fillimin e investimeve apo po largohen nga Kosova. Goditje më të rëndë ekonomisë së Kosovës nuk mund t’i japësh sesa të heqësh paranë e investimeve kapitale nga vendi. Po të shikoni qindra miliona euro qëndrojnë në portofolin e Qeverisë, ndërsa investimet kapitale nuk realizohen. Kjo është gabim totalisht strategjik dhe ekonomik për vendin”, ka thënë Shala.

Kritika për nivelin e realizimit të projekteve kanë shfaqur më herët edhe partitë e tjera opozitare.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy