Koalicioni mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) rrezikon të prishet shkaku i mosmarrëveshjeve të dyshuara në qeverisje.
Përparim Rama dhe shumica e udhëhequr prej tij në Kuvendin Komunal të Prishtinës, e përkrahur nga nënshkrimet edhe të Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë, kanë ftuar një seancë të jashtëzakonshme më 8 qershor.
Sipas raportimit të gazetës Nacionale, bazuar në burime, koalicioni LDK-PDK rrezikon të shpërbëhet përfundimisht pas vendimeve që priten të miratohen të enjten.
Mbledhja e së enjtes është thirrur për shqyrtimin e dy pikave, por të ndërlidhura me një çështje: Shkarkimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike në kryeqytet dhe zëvendësimin e tyre me emra të rinj.
Nacionale raporton se sherri mes dy partive në pushtet komunal ka të bëjë me mos-mbështetjen e PDK-së për hartat zonale.
Kryetari i komunës së Prishtinës, qysh në shtatorin e vitit të kaluar kishte miratuar vendimin për formimin e një komiteti konsultativ për Hartimin e Planit Zhvillimor dhe Hartës Zonale. Ky plan – që orienton zhvillimin e kryeqytetit – do të ishte tetë-vjeçar.
Deri tash, nuk dihet saktë se cilat ishin mospajtimet specifike mes palëve, por dihet që PDK-ja nuk po pajtohet.