Emisarët e SHBA-së dhe BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, pritet që sot dhe nesër të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin.
Vizitën e tyre e ka konfirmuar ditë më parë për Telegrafin zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Kjo vizitë e tyre vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës është tensionuar, pasi që serbët nuk po i pranojnë kryetarët shqiptar të zgjedhur në tri komunat në veri.
Escobar dhe Lajçak pritet të nxisin palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën në veri.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur dje për BBC-në, lidhur me tensionet në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se përshkallëzimi i tensioneve në veri, ka qenë i shmangshëm.
“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”, është shprehur Escobar.
Escobar ka përsëritur se duhet të thyhet cikli i dhunës dhe se të dyja palët, si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë përgjegjësi për të vepruar në atë drejtim.
Ndërkaq përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjithashtu ditë më parë deklaroi se përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës është i panevojshëm dhe i palogjikshëm.
“Është e qartë se kjo mund të zgjidhet vetëm politikisht dhe kjo do të thotë përmes dialogut ekzistues”, tha Lajçak.
Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 26 majit në këto komuna, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.
Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.
Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjatë protestave janë dëmtuar dhe djegur automjete të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.