Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tregoi përshtypjet e tij pas takimit që pati me emisarin amerikan, Gabriel Escobar.
Krasniqi tha se në ditën që do ta dëgjojmë fjalën “sanksion” nga SHBA-ja, do të jetë ditë ogurzezë për Kosovën.
“Ditën që do ta dëgjojmë zyrtarisht fjalën “sanksion” nga SHBA do të jetë ditë ogurzezë për Kosovën dhe jo vetëm për Albin Kurtin. Por penalizimet dhe ndëshkimet tani më kanë filluar dhe janë bërë publike”, deklaroi ai në RTV 21.
Drejtuesi i partisë më të madhe opozitare në Kuvend thotë se ndëshkimi më i rëndë nga SHBA-ja për Kosovën tashmë ka ardhur.
“Nuk ka pasur kurrë ndonjëherë më të rëndë sesa përjashtimi i Ushtrisë së Kosovës nga stërvitja më e madhe ushtarake në Ballkan e cila udhëhiqet nga SHBA”, tha ai.
Ai tutje tha se ka informacione edhe për nivelin e anulimit të vizitave dhe sipas tij është shqetësuese.
Krasniqi tha se është i sigurt se vetëm kryeministri Kurti i di detajet dhe paralajmërimet.