Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola ka kritikuar sot liderët e partive opozitare lidhur me qasjen e tyre karshi zhvillimeve dhe situatës në veri të vendit.
Gola në një postim në Facebook shkruan se përballja e Policisë se Kosovës me bandat e organizuara kriminale të Beogradit zyrtar, që nuk duan te lejojnë kryetaret komunale t’i kryejnë detyrat e tyre kushtetuese, po interpretohet si përdorim i forcës ndaj komunitetit serb.
Ai theksoi se nuk ka përdorim të forcave policore kundër komunitetit serb, por i vetmi problem është Beogradi zyrtar.
Lexoni të plotë postimin e deputetit Gola:
“Ne jemi deklaru që jemi për liri dhe demokraci […] Në momentin kur përdorim force ndaj komuniteteve tona, e humbim argumentin”, paska deklaru mbrëmë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Konteksti i diskutimit ishte aktualiteti i veriut të Kosovës. D.t.th. përballja e Policisë se Kosovës me bandat e organizuara kriminale të Beogradit zyrtar, që nuk duan të lejojnë kryetarët komunalë t’i kryejnë detyrat e tyre kushtetuese, po interpretohet si përdorim i forcës ndaj komunitetit serb.
Ndërkohë, e vërteta cullak lidhur me serbët e Kosovës është se liria dhe demokracia, që po na i përmend z.Haradinaj, e serbëve është e cenuar vetëm dhe vetëm nga Beogradi zyrtar përmes instrumentit politik që ia ka garantuar dialogu i derivonshëm me Serbinë, pra Listës Serbe si dhe organizimeve kriminale, të cilat i aktivizon sipas nevojës në terren, e të cilat z. Haradinajt dhe fatkeqësisht jo vetëm atij, i duken si protestues të komunitetit serb.
Bota ka nevojë me e ditë që në veri të Kosovës nuk është problem komuniteti serb. Aty nuk ka përdorim të forcave policore kundër atij komuniteti. Aty i vetmi problem është Beogradi zyrtar. Askush dhe bash asgjë tjetër.
Këtë theqafje diskursive, siç me endje e përdorë z. Abdixhiku fjalën theqafje, duhet ta luftojmë me çdo kusht. Ky është argument i Vuçiqit. Në fakt nuk është argument aspak. Është, thënë më së buti, një lexim dhe vlerësim gjuhësisht krejt i pavëmendshëm i situatës nga politikanet tanë, që mund të përdoret nga Vuçiqi për ta fuqizuar rrëfimin e tij propagandistik, si dikur Millosheviqi, se serbët janë të pasigurt në Kosovë. Vetëm imagjinojeni një citim që Vuçiq mund t’i bëj nesër z. Haradinaj.
E për me keq, kjo i vendos në situatë të ndjeshme edhe miqtë tanë. Prandaj, një pjesë të arsyeve pse presioni në raport me Kosovën për çështjen e veriut është krejtësisht i pabalancuar e gjej edhe te kjo retorikë e pavëmendshme politike.