Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abixhiku, i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të ketë qëndrim të qartë për Veriun e Kosovës.
Abdixhiku në Pressing të T7, ka alarmuar se çështja e Veriut nga diplomacia po bartet në siguri.
Sipas Abdixhikut kjo përbën rrezik për Kosovën.
Ai kërkoi që presidentja të ketë qëndrim ndryshe nga kryeministri, Albin Kurti, pasi sipas tij Osmani është presidente dhe duhet t’i ruajë raportet me aleatët.
”Presidentja e vendit duhet të ketë qëndrim të qartë politik dhe të marrë veprime në riparimin e marrëdhënieve me aleatët tanë sepse përfaqëson unitetin e popullit dhe zëri i popullit në këtë rast është që këto relacione të ruhen pa ndonjë dallim”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së ka shprehur kritika edhe për kryeministrin Albin Kurti, që sipas tij po dështon në qeverisje.
“Nuk kam pritur asnjëherë, por tani kjo është fushatë. Ai është në kërkim që të jetë martir politik. Sepse ka parë që nuk është gjendje ta zhvillojë shtetin në asnjë sferë”, tha Abdixhiku.