Nisma e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për ta rrëzuar Qeverinë Kurti II nuk duket se po merr përkrahje nga partitë tjera opozitare. Nënshkrimet e nevojshme nuk janë mbledhur akoma, e pushteti këtë po e quan thikë pas shpine në kohën kur Kosova po përballet me tensione
Presidentja e Hungarisë, Katalin Novak, ka thënë se nëse diçka ndodhë në Kosovë, situata mund të eskalojë shpejt.
E para e shtetit hungarez, në një intervistë për median zvicerane NZZ, tha po ashtu se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë duhet ta kuptojnë se sa fragjile është paqja.
“Nëse diçka ndodh në Kosovë, situata mund të eskalojë shpejt, dhe ne jemi shumë të brengosur dhe shpresojmë që situata do të qetësohet shpejt dhe që të gjithë aktorët ta kuptojnë se sa fragjile është paqja”, deklaroi Novak, raporton Klankosova.tv.
Tutje, presidentja hungareze tha se Bashkimi Evropian duhet të përshpejtojë procesin e anëtarësimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Natyrisht që vëmendja jonë primare është në Ukrainë, por nuk duhet harruar Ballkanin Perëndimor dhe anëtarësimi i vendeve të rajonit në BE duhet të përshpejtohet”, tha Novak në këtë intervistë.
Novak tha se kishte shenja të “lodhjes nga zgjerimi” në Evropën Perëndimore, por statusi kandidat i Ukrainës dhe Moldavisë nënkuptonte se gjithçka ishte e mundur nëse ekzistonte vullneti politik.
“Megjithatë, kjo nuk duhet të nënkuptojë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të duhet të presin që vendet e reja kandidate të arrijnë hapin në mënyrë që ata të mund të bashkohen në të njëjtën kohë”, tha presidentja, duke shtuar se ka “një rrugë shumë të gjatë” përpara për Ukrainën dhe Moldavinë.
Ndër të tjera, duke folur për sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, ajo tha se ato më shumë e kanë dëmtuar Hungarinë sesa vetë Rusinë.
“Nëse pranojmë se inflacioni i lartë në Evropë është edhe rezultat i sanksioneve ndaj energjisë, atëherë duhet të mendojmë për alternativa”, tha presidentja hungareze.
Lidhur me të ardhmen e marrëdhënieve hungarezo-ruse, Novak tha se “korniza” që përcakton ato lidhje ishte se Hungaria është anëtare e BE-së dhe NATO-s, “dhe kjo nuk do të ndryshojë”.