Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trust, të enjten ia propozoi Kuvendit të Kosovës për emërim pesë kandidatë për anëtarë profesionalë të këtij Bordi.
Emrat e kandidatëve të propozuar si dhe pikët e tyre nga intervistimi janë të paraqitura në vijim: Emanuel Bajra me 26,7 nga 30 pikë maksimale, Shpresim Vranovci me 26,0, Mimoza Mustafa po ashtu me 25,7 pikë, Cyril Demaria-Bengochea me 20,7 pikë dhe Trim Shala me 20,3 pikë.
BQK njofton se si për pozitën e anëtarit me përvojë në përfaqësimin ose këshillimin e punonjësve apo përfaqësuesve të tyre ashtu edhe për pozitën e anëtarit me përvojë në përfaqësimin ose këshillimin e punëdhënësve, nuk ka qenë e mundur të përzgjidhen së paku tre kandidatë që kishin dorëzuar dokumentet e kërkuara dhe përmbushur kërkesat e specifikuara në konkurs. Andaj, proceset përkatëse të përzgjedhjes do të duhet të rishpallen.
“Në konkursin për këto pozita ishin pranuar 60 aplikacione. Pesë kandidatët e përzgjedhur për anëtarë profesionalë të Bordit Drejtues të FKPK-së propozohen pas përfundimit të intervistave dhe kryerjes së verifikimeve të nevojshme”, thuhet në njoftim.
Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së, ishte i përbërë nga guvernatori i përkohshëm i BQK-së, Bashkim Nurboja (kryesues), Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca.