Vllasi: Jugosllavia s’ishte shtet për shqiptarët, greva e minatorëve shënoi kthesë historike

by informim

Ish-politikani dhe avokati, Azem Vllasi, deklaroi se Jugosllavia nuk ishte shtet për shqiptarët, pasi siç tha ai, nisur edhe nga emri “Jugosllavi”, kishte kuptimin e një shteti të sllavëve të jugut.

Ai deklaroi në Konfrontin e KTV-së të enjten se që nga Kushtetuta e 1974-s, Kosova e kishte më të rregulluar pozitën nën udhëheqjen e Josip Broz Titos, por ai theksoi se kushtet po rregulloheshin shumë ngadalë.

banner

“Kishte gabime në kohën e komunizmit sepse sistem njëpartiak, por ka vazhdimësi historia. Jugosllavia për neve ka qenë shtet jo i yni, por shtet i sllavëve të jugut. Kemi këqyr në ato kushte dhe në atë realitet të përfitojmë sa më shumë e ngadalë. Ka avancuar Kushtetuta e Kosovës në 1974-n, por atë e kishte shkelur me dhunë Serbia. Ne e kemi mbrojtur atë deri në 1989-n. Rrethanat ishin të tilla”, deklaroi ai.

Vllasi, që të enjten promovoi librin “Populli që shkroi historinë”, i botuar nga Botimet KOHA, në të cilin rrëfen periudhën politike të asokohshme, tha se ngritja e rinisë në demonstratat e 1981-s, ishin të gabuara pasi nuk ishte momenti i duhur.

“Rinisë që në 81-n u ngrit në demonstrata, nuk mund t’iu mohojnë ndjenjat patriotike, liridashëse dhe s’është e rastit që ndodhën 10 muaj pas vdekjes së Titos. Largimi i Titos për neve, duke njohur Serbinë, s’ishte e sigurt që e mbrojnë edhe atë pozitë…Nuk ishte koha e duhur të bëhej ajo demonstratë pasi u konsiderua si veprimtari antijugosllave”, tha Vllasi.

Sipas avokatit, ndërhyrja e policisë federale ndaj protestuesve ishte e gabuar dhe krejt e panevojshme. Ai tha se kishte diskutime se ajo ishte organizuar nga Shqipëria komuniste, por siç tha ai, më vonë ishte mohuar nga autoritetet e Shqipërisë.

Për grevën e minatorëve të Stantërgut, në 1988-n, Vllasi tha se ishte lëvizje e madhe që nxiti bashkimin e popullit kundër shkeljes së të drejtave nga regjimi serb.

Ai tha se greva ishte e rrallë.

“Ngjarja e asaj kohe është e rrallë në historinë tonë. Minatorët i kishim…Ishin ata forca sulmuese në protesta apo në mbrojtje… Nëse minatorën u ngritën në mbrojtje të Kosovës prej presioneve të Serbisë, asnjë udhëheqës s’do të mund ta mobilizonte popullin siç e bënë minatorët e 1989-s”, u shpreh ai.

Vllasi rrëfeu edhe momentin kur ishte telefonuar nga lideri i asaj kohe, Sllobodan Millosheviq.

“Millosheviqi më thirri në mëngjes më tha ‘kjo dramë në Kosovë është problem për tërë vendin. Ky cirkus me këta minatorë nuk bën, duhet të ndërpritet kjo grevë. Ti je njeri që ke autoritet, ti duhet të angazhohesh të ndërpritet greva’. Kur kanë dalë nga miniera, Millosheviqi organizoi miting në Beograd, e të organizuar, protestuesit thërrisnin ‘Burgosni Vllasin’”.

Për këtë periudhë të rëndësishme, Vllasi tha se në ditët e sotme flitet pak, ndërsa periudhën 1988-89, e konsideroi kthesë të madhe historike për shqiptarët.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy