Ish-politikani dhe avokati, Azem Vllasi, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se i takon gjeneratës së dytë të adhuruesve të stalinizmit dhe enverizmit.
Sipas Vllasit, kjo tregohet më së miri me kryeneçësinë qe kryeministri po e tregon së fundmi lidhur me situatën e krijuar në veri, duke mos i dëgjuar këshillat e faktorit ndërkombëtar, që sipas tij, kanë pasur rol vendimtar në çlirimin dhe shtetbërjen e Kosovës.
“Nëse amerikanët kanë pasur rol vendimtar në çlirimin e Kosovës dhe në shtetbërjen e Kosovës, kur të sugjerojnë diçka që të mos krijohet ndonjë problem pasi vëmendja e tyre është e fokusuar se çfarë po ndodh në Serbi, posaçërisht në lidhje me Ukrainën, duhet të dëgjojmë. Por, Kurti me kryeneçësinë e tij, la përshtypje që nuk i dëgjon as amerikanët, është pjesëtar i gjeneratës së dytë të atyre adhuruesve të Stalinizmit, të Enver Hoxhës dhe të Enverizmit, i cili gjatë karrierës së tij në Shqipëri, e ka dashur më shumë se Zotin, Stalinin. Kurti asaj gjenerate i takon dhe i ka mbetur ai virusi që unë i kundërshtoj edhe amerikanët”, ka thënë ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.