Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka treguar se nuk është konsultuar me kryeministrin Albin Kurti për propozimin e draft-statutit për Asociacionin tek Gjermania dhe Franca.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Rama ka thënë se nuk ka komunikuar me Kurtin pas dërgimit të draftit në Berlin dhe Paris.
Kryeministri shqiptar ka treguar edhe arsyet se pse paraprakisht nuk është konsultuar me Kosovën për këtë çështje. Sipas tij, shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë janë vëllezër, por kanë shtete të ndryshme.
“Jo. Unë dua të jem shumë fer dhe në raport me partnerët. Kjo nuk është një konspiracion i shqiptarëve që ne po e bëjmë bashkë dhe pastaj unë do e çoj. Ky është një kontributi i Shqipërisë si shtet tjetër. Ne jemi vëllezër, por kemi dy shtete të ndryshme. Shqipëria ka shtetin e vet, Kosova ka shtetit e vet”, ka thënë Rama.
Ai ka bërë me dije se shteti shqiptar është në një linjë me SHBA-në dhe BE-në për situatën e fundit në veri.
“Shqipëria në këtë rast, është tërësisht në një linjë me SHBA-të dhe BE-në, me Francën dhe Gjermaninë, me qëndrimin e asaj që po bëjnë autoritet e Kosovës. Shqipëria kontributin e saj saj nuk mund ta jap në këtë proces, përveçse duke qenë shumë etike në raport me aleatët dhe pozicionin e vet. Nuk mundet dot që ne të bëjmë një rol të hedhim gurin dhe te fshehim dorën. Në sensin që t`i konsultojmë këto gjera përpara dhe pastaj të bëjmë sikur nuk kemi konsultuar”, është shprehur Rama.
Ndër të tjera, Rama ka mohuar mundësinë që në Kosovë të ketë luftë. Ai ka thënë se Serbia nuk mund të bëj luftë me SHBA-të.
“Kjo është gjeja e fundit që unë imagjinoj. Ka një fjalë që thotë kurrë mos thuaj kurrë, por unë dua të them kurrë. Për faktin se kush do luftojë në Kosovë? Do luftojë Serbia me Amerikën? Kosova është Amerikë. Sa për dijeni të atyre që kanë harru, Kosova nuk është ende tërësisht sovrane për sa kohë ka një ushtri të terë të huaj në territorin e vet, dhe për sa kohë nuk është e njohur nderkombetarisht nga të gjithë. Kështu që, çfarë do të bëj Serbia, do të sulmojë Amerikën?”, është shprehur Rama.
Nisma e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të dërguar një draft-statut për Asociacionin në vendet më të fuqishme të Evropës ka nxitur reagime të ndryshme në Kosovë. Disa nga partitë politike e kanë kundërshtuar e disa e kanë përkrahur veprimin e kryeministrit shqiptar. Kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk është deklaruar për këtë çështje.
Derisa qeveria ka heshtur për këtë temë, deputetët e partisë në pushtet e kanë kundërshtuar një gjë të tillë.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se ky draft-statutit është dashur që se pari të vije në Kosovës.
“Ne nuk kemi si ta shohim, për arsye se nuk e kemi parë atë draftstatut. Siç ka thënë vet kryeministri Rama, nuk është konsultuar. Unë mendoj që specifikat dhe rrethanat e këtij procesi në Kosovë, janë të tilla që duhet pasur në konsideratë, krejt historinë e këtij procesi dhe natyrisht rëndësinë e kuptimit të rrjedhës përpara bazuar në parime”, ka thënë Kusari-Lila për medie.
Shumë më të ashpër ndaj Ramës kanë qenë disa deputetë tjerë të VV-së.
Nismën e Ramës e ka kundërshtuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka thënë se asnjë propozim për Asociacion i cili nuk e ka vulën e institucioneve të Kosovës nuk duhet të vlej.
“Atë që duhet ta them është që as një propozim që nuk ka autorësi të institucioneve të Kosovës nuk ka vlerë për Kosovën”, ka thënë Abdixhiku në emisionin “Pressing” të T7.
Sipas tij, ende nuk duhet motivet e propozimit të Ramës.
“Ne nuk e dim motivin e Shqipërisë zyrtare pse ka dalë me një qëndrim të tillë”, tha fillimisht Abdixhiku në Pressing të T7.
Krejt tjetër mendimin për veprimin e Ramës ka shprehur partia më e madhe opozitare.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, nuk e ka kundërshtuar një gjë të tillë.
Ai ka thënë se përpjekja e kryeministrit shqiptar ka për qëllim të ndihmojë Kosovën.
“Unë mendoj që Rama me propozimin e tij po bënë përpjeke që t’i mbush interesat e shteti të Kosovës në një kohë që është kritike dhe assesi që t’i dëmtoj këto interesa. Frika ime është që mënyra se si Kurti është duke menaxhuar situatën në veri të vendit ne mund të lëvizim drejtë një protektorati të plotë i cili si produkt mund të ketë një autonomi territoriale”, ka thënë Hoxhaj.
As shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, nuk e ka kundështuar nismën e Ramës.
“Qëndrimi ynë është shumë i thjesht. E para, në parim diçka që vjen prej presidentit shqiptar – ai ka pasur një deklarim për gjendjen në veri – diçka që vjen prej shtetit amë jodomosdo duhet të gjykohet keq. Në anën tjetër, detyrat e Qeverisë janë detyra të vendit të cilat pa asnjë dyshim duhet t’i ushtrojë Qeveria, e Qeveria jonë nuk po i ushtron. Ajo që del në pah prej kësaj situate është se ekziston një moskomunikim dhe raportet e komunikimit mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në pikën e fundit”, ka deklaruar Tahiti