Qeveria e Kosovës i është përgjigjur propozimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se nga Shqipëria presin mbështetje pasi ndërmjetësues tashmë janë bërë shumë.
Në ekzekutivin kosovar thonë se Asociacioni është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës dhe se ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë do të kuptojnë qëllimin e Serbisë për krijimin e një “Republika serbe” në Kosovë.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje për KosovaPress ka theksuar se qëllimi serb për Asociacionin shihet edhe së fundmi me non-paperin e Akademisë së Shkencave dhe të Artit të Serbisë ku flet për “Botën serbe”.
“Çështja e kryetarëve të katër komunave në veri të vendit është çështje e respektimit të kushtetutës, sundimit të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, që për shkak të bojkotit të diktuar nga Serbia u kishin munguar për plot 6 muaj. Çështja e marrëveshjeve të mëhershme për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është çështje e funksionalitetit të shtetit të Kosovës dhe kjo u dëshmua me draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues që drejtohej nga deputetja e Vuçiqit që synonte një Republika Srpska në Kosovë dhe së fundmi me nonpaperin e Akademisë së Shkencave dhe e Artit e Serbisë që flet për ‘Botën serbe’. Në të dy rastet në pyetje është Kosova. Në të dy rastet rreziku është Serbia. Ata që janë të lirë në qëndrime dhe pa ndonjë ngarkesë, e kuptojnë këtë. Nga Shqipëria zyrtare presim mbështetje. Ndërmjetësues kemi shumë”, thuhet në përgjigjen Kryeziut.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë kësaj jave bëri të ditur se i ka dorëzuar një draft të Asociacionit kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Ky dokument në bazë të raportimeve të premten është vlerësuar si serioz nga Bashkimi Evropian.