Sa herë që shënohet përvjetori i çlirimit të Kosovës, shfaqen edhe debatet se kush e siguroi lirinë e vendit që po e mbante të zaptuar Serbia me ushtri e polici. 24 vjet pas nuk është se ka ndonjë debat të gjallë për këtë temë. Por, bazuar në deklarimet e liderëve, të të gjithë anëve mund të thuhet se në Kosovë tashmë ka një konsensus deklarativ, rreth kësaj çështjeje – lirinë e sollën të gjithë. Çfarë thanë sot Vjosa Osmani, Albin Kurti, Glauk Konjufca, Lidhja Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi e Ramush Haradinaj për përvjetorin e njëzetekatër të çlirimit të vendit.
Partitë politike dhe figura të ndryshme të jetës publike menjëherë pas luftës ishin përfshirë për ta debatuar zëshëm se kush i ka meritat për çlirimin e Kosovës. Varësisht se kush ku ishte, në LDK apo partitë e dala nga lufta, aty shihej edhe adresa kryesore e lirisë së vendit. Krahu paqësor po ashtu ishte më i prirur të spikaste rolin e NATO’s, përderisa “krahu i luftës” potenconte se ishte pikërisht UÇK ajo që solli intervenimin e aleancës veriatlantike.
Por cilat janë narracionet sot?
“Kompromis” për këtë lirinë e Kosovës ka bërë Kryeministri Albin Kurti, i cili pasi ka marrë përgjegjësi shtetërore, e ka bërë zakon ta nderojë figurën e Ibrahim Rugovës, edhe pse në mënyrë të kursyer, duke i dhënë kredi për atë që ka bërë për vendin.
Kurti në ditën e çlirimin s’ka dilema për qëndresën e Adem Demaçit. Ai tutje ka përmendur edhe flijimin e Jasharajve dhe kontributin e NATO’s.
“Bashkë me Presidenten e Republikës, Vjosa Osmani dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, në 24-vjetorin e Ditës së Çlirimit, përkujtuam e nderuam humanizmin e ish-presidentit Rugova, qëndresën e veprimtarit Demaçit, sakrificën e familjes Jashari dhe kontributin e ushtarëve të NATO-s” tha Kurti.
“Përulemi para gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë atyre të cilët dhanë jetën për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s e ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë. Gjithnjë dhe përgjithmonë u jemi falënderues dhe mirënjohës” ka shtuar tutje Kurti.
Presidentja Osmani e cila shpesh akuzohet nga kundërshtarët e saj se e përmend rrallë Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, ka vënë theksin te vizionarët e ndërtimit të shtetit, dëshmorët dhe ushtarët e UÇK’së.
“E përsërisim këtë mirënjohje në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës sic e thash për vizionarët e shtetit, Presidentin Rugova, për të gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosen këto themele, për komandatin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ushtarëve të UÇK’së që vunë jetën e tyre në rrezik, dhanë jetën për lirinë tonë. Por mirënjohje e përjetshme për të gjithë miqtë tanë që na ndihmuan që lirinë demokracinë ta kemi realitet” tha ajo.
Konjufca që ka dalë bashkë me Kurtin e Osmanin në homazhet e sotme në fjalën e tij nuk ka folur për figura.
Ai është marrë me popullin dhe ndërkombëtarët.
“Dita e çlirimit të Kosovës koincidoi pikërisht edhe me ndalje e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo natyrisht nuk do të mund të arrihej edhe pa miqtë tanë të çmuar ndërkombëtarë, pa shtet të cilat e ndihmuan çlirim e Kosovës. Por kjo ndodhi edhe pikërisht për arsye se kauza jonë ishte shumë e drejt. Ne krejt çka po kërkonim si popull dhe qytetarë ishte që ta heqim pushtimin, okupimin serb shekullor në Kosovë”, tha Konjufca.
“Për këtë ditë dhamë edhe shumë, dhamë dëshmorët tanë, i dhamë martirët e Kosovës dhe kishte shumë sakrifica dhe mund të popullit tonë për çlirim, prandaj ata do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë sepse janë në themelet e lirisë së shtetit tonë” shtoi ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq, tha se kapitullimi i regjimit kriminal të Millosheviçit “erdhi si rezultat i një rezistence paqësore të prirë nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe më pas edhe të armatosur të popullit të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që rezultojë edhe me intervenimin ushtarak të NATO-s mbi caqet serbe”.
“Regjimi famëkeq serb kishte vrarë mijëra civil të pafajshëm, kishe deportuar mbi një milion shqiptar nga shtëpitë e tyre, kishte djegur e shkatërruar gjithçka shqiptare. Pas 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s të gjitha këtyre ju erdhi fundi’ tha LDK me anë të një komunikate.
Kreu i PDK’së Memli Krasniqi uroi për ditën e çlirimit “me nderimin për mijëra luftëtarë të UÇK-së, dëshmorë, invalidë e veteranë, të cilët me heroizimin dhe flijimin e tyre mundësuan dhe shtruan rrugën tonë të drejtë”.
Ai përmendi edhe “intelektualët” dhe aleatët ndërkombëtarë.
“Me respektin më të lartë për miqtë dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, të cilët, kur na duhej më së shumti, ishin aty për ne – për të finalizuar përpjekjen shekullore për liri. Me ndjenjën më të thellë të falënderimit dhe mirënjohjes për veprimtarët, intelektualët, të burgosurit politikë, mësimdhënësit, mjekët dhe infermierët, minatorët, artistët, sportistët, mërgimtarët dhe gjithë popullin tonë, pa dallim, që asnjëherë nuk u ndalën së punuari e besuari për këtë ditë” shkroi Krasniqi.
Ramush Haradinaj në këtë përvjetor tha se “ kujtojmë e nderojmë rrugën e gjatë dhe përpjekjet e mundimshme të shqiptarëve në të gjitha periudhat historike që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Për këto 24 vjet në liri, Kosova është ndërtuar e është zhvilluar jashtëzakonisht shumë, ndoshta më shumë se secili vend në rajon për të njëjtën periudhë kohore. Kosova ka ndërtuar gjithçka nga fillimi, e sot jemi shtet që njihemi ndërkombëtarisht, një vend për të cilin ka njohuri e gjithë bota” theksoi ai.
E Veteranët e UCK’së që po ashtu fuqishëm kanë marrë pjesë në këto debate mbi çlirimin e Kosovës, në këtë përvjetor, në rrjetet sociale, patën vetëm një urim.
“Gëzuar Ditën e Çlirimit Kosovë!”.