Konjufca: Lufta ishte nën flamur shqiptar, projekti ishte liri për të gjithë

by informim

Me rastin e 12 qershorit,  24 vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti, organizuan pritje shtetërore për korin diplomatik të akredituar në Kosovë dhe mysafirë të tjerë të shumtë.

Në fjalën e  tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se 12 qershori 1999, është ndër datat më të rëndësishme për popullin tonë.

banner

“Përveç ditë e rëndësishme e çlirimit nga Serbia, kjo është ditë e falënderimit dhe kujtimit dhe reflektimit tonë”, tha kryeparlamentari Konjufca.

Sipas tij, në këtë ditë kujtohet rruga e gjatë dhe e vështirë që është kaluar në përpjekjet shekullore për t’i dhënë fund okupimit dhe për ta përmbysur padrejtësinë.

Konjufca tha se përpjekja, rezistenca dhe lufta për çlirim nga pushtimi serb, ishte e drejta e popullit autokton që e meritoi lirinë në tokën e vet historike.

“Prandaj ne kujtojmë sot të gjithë ata që u sakrifikuan më së shumti për lirinë e vendit tonë. I kujtojmë të rënët, dëshmorët e heronjtë e Kosovës, gjaku i të cilëve është fuqia e pathyeshme e themeleve të shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës”, tha Konjufca.

Ai më tej tha se në këtë ditë kujtohen të gjithë, por në veçanti, komandanti legjendar, Adem Jashari dhe rënien heroike të familjes Jashari.

“Projekti i çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës nuk ishte përpjekje kundër të tjerëve, por një kauzë  e barazisë për të gjithë popullin e Kosovës, pavarësisht përkatësisë kombëtare, etnike, gjuhësore apo religjioze”.

Konjufca tha se edhe pse lufta për çlirimin e Kosovës u bë nën flamurin shqiptar, projekti i Kosovës gjithnjë ka qenë projekt i lirisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët.

“Prandaj ne sot i kujtojmë para së gjithash, të gjithë ata veprimtarë, intelektualë, profesorë, studentë e shkrimtarë që na prinë në çdo fazë të popullit tonë në rrugën drejt lirisë e barazisë”, tha Konjufca.

“E kujtojmë veprimtarin ikonik, Adem Demaçi, presidentin historik, Ibrahim Rugova, intelektualin tribun Ukshin Hoti e strategun e rezistencës sonë paqësore, Fehmi Agani”.

Ai tha se në një ditë si kjo, është obligim i përhershëm për të falënderuar miqtë e Kosovës për kontributin dhe ndihmën e tyre për çlirimin e Kosovës.

“Projekti i Serbisë për gjenocid  e spastrim etnik të popullit të Kosovës, nuk do të  mund të ndalej pa ndihmën vendimtare të miqve dhe aleatëve tanë, SHBA-së, shteteve mike të NATO-s e BE-së”.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy