Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që menjëherë dhe pa vonesa të identifikohen kriminelët në pjesën veriore të Kosovës, të ndiqen e të gjykohen për veprimet e tyre.
Këtë deklarim Haxhiu e ka bërë duke u mbështetur në një nga pikat që kryeministri Albin Kurti ka paraqitur të martën para mediave, si propozim i Qeverisë së Kosocvës për de-eskalim të situatës në veri.
“Pika e parë në letrën e kryeministrit Kurti: Të sigurohet/krijohet menjëherë sundimi i ligjit në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, duke përfshirë ndër të tjera identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, anëtarët e NATO-s dhe gazetarët”, ka shkruar ministrja në Facebook.
Ajo tutje ka thënë se pas angazhimit nga ana e policisë së Republikës së Kosovës, është jetike që institucionet e drejtësisë të jenë në krye të detyrës dhe të ndërmarrin veprime në përputhje me përgjegjësitë e tyre.
“Në asnjë mënyrë nuk duhet të tolerohen apo neglizhohen aktet e kriminale të grupeve kriminale. Sulmet ndaj policisë, mediave apo anëtarëve të NATO-s dhe veprimet që cenojnë rendin kushtetues nuk duhet të normalizohen por të ndiqen e të dënohen”.
“Disa nga pjesëtarët e grupeve kriminale janë në paraburgim, por janë edhe tre raste të personave të dyshuar që janë liruar në procedura të rregullta. Menjëherë dhe pa vonesa duhet të identifikohet secili kriminel, të ndiqen dhe gjykohen për veprimet e tyre kriminale”, ka shkruar Haxhiu mes tjerash.