Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, projekti kalon rishikimin final nga BERZH

by informim

Shqipëria kërkoi vitin e shkuar një kredi 62.9 milionë euro pranë Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) lidhur me projektin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit i cili tashmë ka kaluar në një etapë të re.

Në faqen e projekteve të BERZH statusi i projektit u rifreskua këtë javë nga “rishikim i konceptit” në “kaloi rishikimin final, në pritje të miratimit” duke e afruar kështu mundësinë për një tjetër projekt hekurudhor që do të nisë zbatimin pas Tiranë-Durrës, që është në proces. Kostoja e linjës Vorë-Hani i Hotit është 267 milionë euro për një gjatësi 120 kilometra.

banner

Projekti, sipas dokumenteve që shoqëronin kërkesën e Shqipërisë në BERZH , pritet të bashkë-financohet nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe Bashkimi Evropian (BE) nëpërmjet Platformës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Projekti është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Evropian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe evropiane përmes Korridorit X pan-Evropian.

Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985.

“Infrastruktura e trasesë është përkeqësuar, për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Shpejtësia maksimale e lëvizjes së trenave është rreth 40 km/orë, dhe në pjesë të caktuara është më e ulët se 20 km/orë. Kufizimet e shpejtësisë së trenave vijnë edhe nga kalesat e shpeshta të paautorizuara në nivel (kryqëzimet e paautorizuara me rrugët lokale).

Sistemi i sinjalizimit, i dëmtuar gjatë periudhave të trazirave në vitet 1991 dhe 1997, pothuajse nuk ekziston. Shërbimet e transportit të mallrave lënë për të dëshiruar, me kohë udhëtimi të gjata dhe kërkesë të ulët, dhe jo të planifikuar.

Komunikimi i stacioneve realizohet nëpërmjet radios. Si rezultat, nuk ka një sistem të kontrolluar sigurie për lëvizjen e trenave, e për pasojë rreziku i aksidenteve është i lartë. Ndërsa gjeometria e shtrirjes horizontale të hekurudhës është mjaft e mirë”, – do të nënvizohej në planin e ndërveprimit social-mjedisor mbështetur nga Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Aktualisht projekti më afër konkretizimit për ta rikthyer transportin hekurudhor në vend në një fazë të re moderne është ai i linjës Tiranë-Durrës me zgjatimin në Rinas që është në proces ndërtimi dhe pritet të përfundojë vitin e ardhshëm.

Kjo linjë është 39 kilometra dhe llogaritet me një kosto 70 milionë euro. Po kështu Shqipëria ka një plan për një lidhje hekurudhore me Kosovën për të cilin po kryen një studim fizibiliteti për alternativën më të përshtatshme.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy