Kurti e kushtëzon tërheqjen e policisë nga Veriu: Së pari grupet kriminale duhet të largohen

by informim

Kryeministri Albin Kurti tha se pajtohet që vendi i punës së Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës s’është në objektet komunale, por tha se ata janë aty për shkak të grupeve ekstremiste kriminale.

Ai tha se policia do të tërhiqet gradualisht, por se kjo duhet të ndodhë pasi të largohen grupet kriminale.

“Njësitë Speciale që i kemi në ndërtesat e komunës janë aty për shkak të ekstremistëve të dhunshëm. Në mënyrë graduale dhe proporcionale në përputhje me vlerësimin e situatës së sigurisë ne mund të bënim edhe zvogëlimin e asaj pranie, por hapi i parë duhet të jetë sundimi i ligjit ku zvogëlohet rreziku për ndërtesat dhe më pas edhe prania e policisë. Nuk mundet të zvogëlohet njëherë prania e policisë pa u zvogëluar prania e kriminelëve. Policia është reaksion, policia s’është aksion. Aksionin e kanë bërë ekstremistët e dhunshëm”.

“Grupet kriminale duhet të largohen, sepse ka prej tyre që shumë janë në fakt nga Serbia, nuk janë as të Kosvoës dhe ato grupe vijnë në Kosovë që të tentojnë destabilizim. Prandaj, largimi i tyre nga Kosova është kontribut për stabilitet. Ata që kanë bërë shkelje, krime, dhunë ndaj policëve, KFOR, gazetarëve duhet të përballen me drejtësinë”.

Kurti tha se ata janë të njohur për drejtësinë.

“Një numër i konsiderueshëm i këtyre ekstremistëve të dhunshëm që kanë bërë krime në Veri edhe kanë qenë në burg më herët. Pra, bëhet fjalë për njerëz që njihen nga drejtësia dhe publikisht dhe zyrtarisht sepse kanë qenë në burg më herët për huliganizëm, rrahje kanosje”.

Kurti tha se është i gatshëm që të ulet me ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë, drejtorin e AKI-së, si dhe me KFOR-in dhe EULEX që ta vlerësojnë bashkërisht se me çfarë shpejtësie dhe përmase ta zvogëlojmë praninë e policisë speciale.

“Sepse pajtohem që s’është vendi i tyre aty, por që ndërtesat të jenë të sigurta, dhe vendi të jetë aty”.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy