Biserko: SHBA-ja do që të gjitha konfliktet në Ballkan të zgjidhen këtë vit

by informim

Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, në një intervistë për “Tageszeitung”, ka thënë se për Perëndimin më nuk po luajnë rol të drejtat e njeriut dhe të drejtat demokratike.

Biserko ka thënë se tash e rëndësishme për Perëndimin është politika e sigurisë.

banner

Biserko ka thënë se arsyeja pse SHBA-ja po reagon me aq simpati ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është se po synohet largimit i ndikimit rus në rajon.

Biserko ka thënë se logjika prapa kësaj është që të zgjidhen gjitha konfliktet në Evropë, e veçanërisht në Ballkan brenda këtij viti.

“Synimi tash padyshim është zmbrapsja e ndikimit rus në rajon. Ky është prioritet. Ambasadorët amerikanë nga rajoni janë takuar së fundmi në Tiranë dhe diskutuan për këtë. Logjika prapa kësaj politike është e bazuar në atë, se besohet, se nuk ka më shumë kohë. Deri në fund të vitit duhet të zgjidhen të gjitha konfliktet në Evropë dhe mbi të gjitha ato në Ballkan, sepse konfliktet gjetkë po bëhen gjithnjë e më të mëdha. Ka sfida të mëdha në mbarë botën”, tha Biserko.

Ajo ka thënë se SHBA-ja e Gjermania janë duke e lejuar këtë politikë të neveritshme të Aleksandar Vuçiqit. Ajo ka thënë se më nuk ka garanti politike për të drejtat e njeriut dhe se presioni ndaj Kosovës do të vazhdojë të jetë gjithnjë e më i madh

“Nuk ka garanci politike për të drejtat e njeriut. Kjo do të thotë se presioni ndaj Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti do të rritet. Akademia e Shkencave të Serbisë së fundi e ka publikuar një tezë, ku thuhet se duhet krijuar një entitet serb në Kosovë. Kjo është mënyra e vetme për të përmbushur kërkesat e Brukselit për integrim në BE. Për Vuçiqin, kjo nënkupton të shtyjë para me të gjitha forcat themelimin e Asociacionit të komunitetit serb. Kurti nuk e dëshiron këtë. Komunat me shumicë serbe kanë të drejta të gjera vetëqeverisëse në shtetin ekzistues të Kosovës dhe serbët i kanë dhjetë ulëse të garantuara në Parlamentin e Kosovës. Vuçiqi përpiqet ta pengojë integrimin e serbëve të Kosovës. Serbët është dashur të largohen nga institucionet shtetërore dhe t’i bojkotojnë zgjedhjet. Kjo politikë dikur ishte e neveritshme, por tash SHBA-ja e lejon. Po, SHBA-ja dhe Gjermania duan të zbatojnë këtë politikë pavarësisht se Aleksandar Vuçiqi është i falimentuar politikisht dhe financiarisht”, tha Biserko.

Biserko ka thënë se Rusia është aktive ende në Ballkan Perëndimor.

“Ka ndikim në ushtri dhe në shërbimet sekrete si në Serbi, ashtu edhe në Mal të Zi, Maqedoni të Veriut e Bosnjë-Hercegovinë. Rusët nuk mund të nisin luftë atje, por ata mund të pengojnë proceset e normalizimit dhe të integrimit në BE. SHBA-ja tash është lojtarja kryesore në Serbi. Di çdo gjë për politikën atje. Por, ajo injoron forcën civile, edhepse e di se sa të ndyra janë institucionet shtetërore në Serbi”, ka thënë Biserko.

Biserko është pyetur edhe në lidhje me pretendimet nëse Vuçiqi me trazirat në Kosovë po synon të largojë vëmendjen nga protestat në Beograd.

“Ushtria e Serbisë është dislokuar disa herë në kufi me Kosovën gjatë viteve. Nuk është diçka e re. Për të gjithë është e qartë, se Vuçiqi sërish është duke u përpjekur të ndezë konfliktin në Kosovë”, tha Biserko.

Ajo ka thënë se protestat do të vazhdojnë dhe se mesazhi më i rëndësishëm është se “njerëzve uështë larguar frika”.

banner

Të ngjajshme

Leave a Comment

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy