Në pak muaj, tumori i tij ishte rritur pa dhënë simptoma të dhimbshme, peshonte më shumë se 30 kilogramë dhe diametër 65 centimetra. Aq asimptomatike sa u zbulua teksa po kryheshin analizat për të monitoruar një sëmundje tjetër onkologjike nga e cila vuan, kancerin e timusit (një gjëndër limfatike në pjesën e sipërme të kraharorit). Dhe kështu, nga spitali i Sardenjës ku u ndoq, Giovanni, 52 vjeç, u nis për në polikliniken Irccs Sant’Orsola ne Bologna, i vetmi spital që pranoi kërkesën e onkologut të tij për të trajtuar liposarkomën e rrallë retroperitoneale, lindur nga indi i butë i veshkës së djathtë. Më i madhi i këtij lloji në Evropë për nga pesha dhe madhësia, nuk ishte përshkruar kurrë në literaturë. Nje rekord. Ashtu si operacioni i paprecedentë, i cili zgjati mbi 7 orë dhe u krye në kryeqytetin Emilia nga një ekip multidisiplinar (i përbërë nga kirurgë, onkologë, urologë, anesteziologë dhe patologë) drejtuar nga profesor Matteo Cescon, drejtor i njësisë së kirurgjisë hepatobiliare dhe i transplanteve të Sant’Orsola.
Falë mungesës së metastazave, operacioni, shumë kompleks, ishte kurativ dhe radikal: masa u hoq, duke shmangur ostominë dhe dializën. Gjatë operacionit, spitali i Bolonjës tha se ishte e mundur të hiqeshin veshka e djathtë dhe gjysma e zorrës së trashë së bashku me apendiksin, në të njëjtën kohë u rindërtua edhe zorra. “Kompleksiteti i kësaj ndërhyrjeje qëndronte në mosbërjen e ndonjë dëmi – vëren Massimo Del Gaudio, specialist i kirurgjisë për sarkomat e barkut –. Përveç operacionit, nuk kishte alternativa dhe kjo na dha shtysë për të vazhduar me guxim”. Giovanni u kthye në shtëpi pak javë më parë, në provincën e Cagliarit, ku rifilloi aktivitetet e tij normale dhe së shpejti do të kthehet në Bolonjë për t’u operuar edhe për kancerin e timusit.